Bajden në Bosnje: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden ka konfirmuar në fjalimin e tij para Parlamentit të Bosnjës e Hercegovinës, si sipar i vizitës së tij në Ballkan, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se ka rëndësi kritike për stabilitetin e rajonit. Bajden i bëri këto deklarata në fjalimin që e mbajti në Parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës, ku e filloi turneun treditor në Ballkan. “Kosova, së fundmi, festoi njëvjetorin e pavarësisë dhe vazhdon të bëjë përparim si demokraci shumetnike. Pavarësia, edhe pse e re, është e pakthyeshme dhe ka rëndësi kritike për stabilitetin dhe përparimin e rajonit”, tha nënpresidenti amerikan. Bajden tha gjithashtu, se Shtetet e Bashkuara duan që të ndërtojnë marrëdhënie të reja me Serbinë. “Dëshirojmë të ndërtojnë marrëdhënie të reja e të shëndosha me Serbinë. Nuk është sekret për askënd se unë personalisht si senator, kam qenë shumë kritik në këto vitet e fundit. Por, ne duam të ndërtojmë raporte të reja pozitive me këtë vend”, tha Bajden duke shtuar se “Ne nuk presim që Serbia të njohë shpejt Kosovën. Por, presim që Beogradi të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe aktorët tjerë kyç ndërkombëtarë në Kosovë, dhe të shohë për zgjidhje pragmatike, që do të përmirësonin jetët e njerëzve atje, të shqiptarëve dhe të serbëve, dhe të mos i bëjë viktima të mospajtimeve politike”. Nënpresidenti Bajden gjithashtu i tha Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës se Uashingtoni e mbështet integrimin evropian të Bosnjës si shtet i përbashkët. “Administrata Obama-Bajden do të mbështesë dhe riforcojë përkushtimin afatgjatë amerikan për Evropën si e tërë, e lirë dhe në paqe, ku do të përfshiheni edhe ju”, tha nënpresidenti Bajden. Gjatë fjalimit, zv/presidenti amerikan ka paralajmëruar Bosnjë-Hercegovinën kundër rrëshqitjes në një kaos tjetër etnik. Ai iu bëri thirrje popujve të Bosnjës, që të tejkalojnë ndarjet etnike dhe të refuzojnë nacionalizmin si dhe të punojnë bashkë në krijimin e një shteti të vetëm sovran. Bajden i tha Parlamentit të Bosnjës se ai shpresonte që serbët të hiqnin dorë nga kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës dhe të punojnë me bashkësinë ndërkombëtare për të ndihmuar popullin e Kosovës. Vizita e Bajdenit shihet nga shumë në rajon si sinjal i rëndësishëm se Ballkani nuk do të injorohet nga administrata amerikane. Sot nënpresidenti amerikan viziton Serbinë, ndërsa të enjten Kosovën. Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me autoritetet qendrore dhe do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Kosovës. Ai pritet të vizitojë dhe Manastirin e Deçanit. Vizita e nënpresidentit Bajden në Kosovë do të përfundojë më 22 maj.