Nallbani: Lirinë pas diktaturës e kufizon paraja
ALMA MILE
Gra me sy të mavinjtë, që mbajnë në krahë një foshnje, të tjera që diç presin ulur bordurave, të tjera që argëtohen në klube nate, të tjera gjysmë të zhveshura që kalojnë rrugëve të kryeqytetit. Piktori Hasan Nallbani e sheh jo me pak shqetësim pozicionin e gruas në shoqërinë shqiptare. Kjo është arsyeja pse ciklin piktoresk që ka ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, piktori Hasani ia ka kushtuar pikërisht grave. Janë rreth 60 piktura të realizuara nga vitit 2006-2009 dhe që do qëndrojnë të ekspozuara deri në 16 qershor. Në një intervistë artisti tregon për punët e reja, por edhe për lirinë krijuese, e cila sipas tij, edhe pse në demokraci vazhdon të jetë e kushtëzuar, tanimë jo më nga politika, por nga paraja.
Kësaj here keni zgjedhur si subjekt të ciklit tuaj, gruan, përse?
Historikisht, për artistin gruaja ka qenë gjithnjë subjekti më i preferuar, por në këtë rast, them se realitetin tonë, problemet sociale, ekonomike, por edhe kulturore, i prezanton më mirë dhe më fortë femra. Kam dashur të paraqes jo thjesht një kategori femrash. Tek ne e gjen gruan edhe në rrugë, edhe duke lypur, apo në një pub, duke kërcyer, apo të prezantimit të vetes si mall. Megjithatë edhe meshkujt nuk mungojnë në pikturën time, por në marrëdhënie me këtë subjekt.
Keni përdorur ngjyra të errëta, është kjo shprehje e vështrimit pesimist mbi gjendjen e gruas në Shqipëri?
Jo me pesimizëm, por me vështrim kritik. Është një realitet që nuk korrespondon shumë me idealet tona dhe dua të ironizoj këtë realitet. Por, për mua ngjyra nuk është qëllimi i pikturës, por ideja. Piktura nuk është thjesht një aspekt formal, që rri bukur me ambientin, me orenditë. Piktura është gjuhë shprehëse, baraz me një roman. Nëse dua të paraqes një subjekt kritik, nuk mund ta paraqes me ngjyra euforike.
Tek-tuk shohim edhe ndonjë fëmijë me pamje të trishtuar....
Shumë nga këto subjekte i kam marrë nga fotografi të bëra në Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”. Nuk dua të paraqes fëmijë në gjendje euforike. Këta janë njerëz me probleme, të cilët i drejtojnë publikut një pikëpyetje, një thirrje. Ata qëndrojnë në marrëdhënie me subjektin femër, me gruan-nënë, me gruan-vajzë. Duke prekur edhe familjen njëkohësisht. Edhe më parë, por më së shumti pas viteve ’90, piktura ime është e angazhuar në problemet shoqërore. Ky është këndvështrimi im mbi misionin që ka piktura.
Nëse shohim ekspozitën tuaj dhe pavijonet e real-socializmit, shohim një kontrast të madh lirie...
Tani ka liri, por gjithsesi është e kushtëzuar nga një faktor që është jo më pak shtrëngues, paraja. Vështirë që një njeri që do të vendosë një pikturë “të bukur” në pallatin e tij, të afrohet tek piktura ime, të gjejë shijet e tij këtu. Në këtë rrafsh unë ndjej vështirësi dhe them se duhet të jenë institucionet shtetërore që t’i ofrojnë terren artistit për ta lejuar që të punojë në këtë mënyrë. Ndryshe duhet ta bëjmë artin për art, ndërsa ai është misionar. E ka kaluar atë funksion.
Si mund të jetojë sot një piktor?
Kur shoh të rinjtë me telajo në duar, ndjej trishtim, sepse realiteti ku ne jetojmë nuk ofron hapësirë për ta. Të rinjtë duhet të punojnë në gazeta, ose në televizione, të merren me dizajn, por nuk mund të merret realisht me pikturë, sepse duhet të jetojnë, ose do të pikturojnë në bazë të shijeve të publikut. Kështu që unë shoh të përthyer në të tjera forma, lirinë. A do të gjejnë treg veprat apo jo. Unë këtë aventurë e ndjek në mënyrë pasionante, idealiste. Me pikturën nuk mund të jetoj. Kam një pension dhe mundësi të tjera, kështu që nuk sakrifikohem, nuk bëj atë që do publiku, por atë që dua unë.
Megjithatë një ekspozitë të tillë, nuk do të mund ta realizonit kurrë nën diktaturë, apo jo?
Atëherë nuk mund të bëje një pikturë të tillë, por as të mbaje një qëndrim kritik ndaj realitetit, por euforik, patetik. Që në të vërtetë nuk ishte realizëm, por pseudorealizëm. Arti i nënshtrohej programit politik të kohës.
Kemi dëgjuar histori artistësh që kanë shkatërruar punët e tyre gjatë diktaturës, ju keni ndonjë histori të tillë?
Patjetër. Çdokujt mund t’i ketë ndodhur kjo. Të gjithë kanë sakrifikuar vepra. Kur isha në Berat dhe vizatoja me karbon të zi më akuzuan se nxija realitetin, apo një pikturë me partizanë, ku njëri prej tyre ishte i plagosur dhe i vendosur mbi kalë, e konsideruan si deheroizim të luftës. Të gjithë kemi pasur vepra që i fshihnim, i prishnim, apo i ribënim nga e para. Ishte autocensura që kishim. Sistemi të bindte se cili duhet të ishte misioni i artit. Ishte një trysni e vazhdueshme, ne gjithnjë qëndronim me frikë pas dyerve duke pritur nëse veprat tona do të ekspozoheshin ose jo. Madje, shpesh artisti e ndiente veten fajtor, se sa të shpërblyer. Ndiheshe fajtor që kishe bërë një pikturë dhe gjyqi ndaj vetes ishte më i vështiri. Edhe pse vinin edhe përfaqësuesit e partisë t’i hidhnin një sy, artistët ishin bërë vetë “komisarë” të veprës së tyre. Por varej shumë edhe nga marrëdhënia që artisti kishte me sistemin. Militantët, anëtarët e partisë, e kishin më të lehtë. Kritika kalonte në mënyrë më të rrëshqitshme tek artistët që kishin një post zyrtar, sesa tek dikush që mund të kishte edhe ndonjë biografi të diskutueshme.
Autori
Piktori Hasan Nallbani ka lindur në 15 maj 1934 në qytetin e Beratit. Përfundon Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Studimet e larta i ka kryer në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë nga viti 1960-1964. Specializimi i tij profesional është njohja e restaurimit të veprave të artit dhe për një periudhë të gjatë kohe ka drejtuar sektorin e restaurimit në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Nallbani pas viteve 1964 u bë një nga piktorët më në zë të artit shqiptar. Si për të gjithë artistët shqiptarë edhe krijimtaria e tij përqafoi dy periudha krijuese. E para është ajo e para viteve `90, ku ai pikturoi dhe mori pjesë në ekspozitat e diktuara nga shteti i kohës komuniste. Në këtë periudha ai u dallua si një piktor me diapazon të gjerë, ku preferoi temën historike dhe atë të ditës. Periudha e dytë është ajo e pas viteve `90, ku vazhdon të pikturojë plotësisht i çliruar.