E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 300 vitesh, kreu i Parlamentit detyrohet të japë dorëheqjen

 

Për herë të parë pas 300 vjetësh histori parlamentare në Britani, kryetari i Dhomës së Ulët të parlamentit britanik, është detyruar të japë dorëheqjen për shkak të skandalit të shpenzimeve. Michael Martin ka njoftuar se do të largohet nga posti muajin e ardhshëm, pasi është përballur me kritika dhe pakënaqësi pas publikimit të informatave rreth shpenzimeve të tepruara, që i kanë faturuar shtetit deputetët e Parlamentit. Sipas BBC, pavarësisht nga tradita britanike sipas së cilës deputetët nuk e kritikojnë kryetarin, një numër deputetësh në rritje e ka akuzuar atë se po pengon reformimin e sistemit të shpenzimeve. Mbi z. Martin rëndojnë edhe kritika se nuk arriti ta kuptonte indinjatën e publikut në këtë çështje. Të hënën ai kërkoi falje para parlamentit për rolin që ka luajtur në këtë krizë, por dorëheqja e tij ka qenë e pashmangshme dhe atij i është dashur të dorëzohet para saj. Ekspertë komentuan për BBC, se pozita e kryetarit të parlamentit u bë e pasigurt sidomos pas një përplasje të dëmshme me kolegët në parlament të hënën. Shumë deputetë mendojnë se ai duhet të marrë pjesën kryesore të fajit për sistemin e shpenzimeve të tepruara parlamentare, i cili e ka indinjuar pa masë opinionin publik britanik. Edhe mediat kombëtare i kanë kërkuar z. Martin të japë dorëheqjen për t’i hapur udhë një figure reformatore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›