E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajden në NATO: Mbani premtimin e bërë Kosovës

 

Kosova është bërë një nga temat kryesore të diskutimit në samitin e NATO-s, ku i ftuar special ishte zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden. Bajden ka kërkuar që fuqitë perëndimore, të cilat e çuan Kosovën drejt pavarësisë nga Serbia, tashmë të përfundojnë premtimet e tyre për ndërtimin dhe forcimin e këtij shteti të ri, pasi është përgjegjësia e tyre ta çojnë deri në fund këtë detyrë. Ai ka tërhequr vërejtjen tek evropianët se Kosova është çështje e papërfunduar dhe se ka ende shumë gjëra për të bërë. “Ende ka punë për t’u bërë në Kosovë, sepse angazhimet nuk kanë përfunduar. Është para së gjithash përgjegjësi e Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian që të përmbushë premtimet që i kemi bërë së bashku”, tha Bajden. Kjo është hera dytë që zyrtarët e lartë të administratës amerikane të Presidentit Barak Obama kujtojnë evropianët se nuk i kanë përmbushur obligimet përballë Kosovës. Një javë më parë ishte Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton, gjatë vizitës së bërë në kryeqendrën evropiane, ajo që tërhoqi vërejtjen se në Ballkan ka ende punë për t’u bërë dhe se rajoni nuk duhet në asnjë mënyrë të lihet në harresën e të kaluarës. Premtimin për mbështetje të mëtejshme Kosova e ka marrë edhe gjatë vizitës së tre diplomatëve të lartë të vendit, Presidentit Fatmir Sejdiu, Kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni në Departamentin amerikan të Shtetit, ku u takuan me zyrtarë të lartë të administratës amerikane me ftesë të Hilari Klintonit. Nënpresidenti amerikan, Bajden vizitoi selinë e NATO-s për të diskutuar me aleatët strategjitë e reja në vendet problematike e konfliktuale në botë si Afganistani. Duke folur për paqeruajtësit, ai siguroi se kontributi amerikan në misionin paqeruajtës në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk do pësojë ulje të numrit të përfaqësuesve për shkak të nevojës që të dërgohen trupa shtesë në Afganistan. “Dua ta bëj të qartë se nuk do bëjmë tregti në mes të preokupimeve tona në Kosovë dhe asaj se çfarë duhet bërë në Afganistan”, theksoi Biden  pas takimit që ka zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer. “Dua ta bëj të qartë se nuk mund të ketë këmbim në raport me shqetësimet tona për Kosovën dhe përparimin atje dhe asaj çfarë duhet bërë në Afganistan”, tha Bajden.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›