Fier, drogë në bidonët plastikë
FIER/ MAJLINDA RAMA
Fshehin drogën në bidonë plastikë, zbulohen nga operacioni “Shkëmbi i kuq”. Dy persona u ndaluan dje nga policia e Fierit, me akuzën e prodhimit të lëndës narkotike, pasi në pronësi të tyre rezultoi sasia prej 119 kg kanabis sativa. Burimet zyrtare pohuan se Mithat Velaj, 65 vjeç dhe Bajram Minaj, 62 vjeç, të dy nga Mallakastra, po e përgatisnin drogën me destinacion Greqinë. Lënda narkotike u zbulua në fshatin Hekal. Sipas policia, droga ishte gati për ambalazhim, pasi ishte fshehur më parë në tre bidonë të mëdhenj kauçuku, brenda në territorin e banesës së njërit prej të arrestuarve. “Pjesa më e madhe e drogës ishte futur në këta bidonë, me qëllim fshehjen e saj në mënyrë më të dukshme. Në këtë mënyrë, ky lloj ambalazhimi ndihmonte të dy shtetasit të mos binin në sy për veprimtarinë e tyre”, deklaruan burimet nga grupi hetimor. Gjatë rrugës për të zbuluar atë që ndodhte, policia ka marrë në pyetje dhe banorë të fshatit Hekal. Ata kanë treguar se, dy të arrestuarit u thoshin se bidonët i mbanin të mbushur me ujë dhe në kohën e kultivimit të rrushit i mbanin me rrush të fermentuar për verë dhe raki. Por jo vetëm kaq. Burimet policore bëjnë me dije se një tjetër sasi droge ishte e ambalazhuar në 5 thasë plastmasi, të cilat ishin të fshehura brenda në banesën e Bajram Minajt. Aksioni është kryer në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kuq” në fshatin Hekal, lagjja Arapaj në të cilën banonin dy shtetasit dhe lënda narkotike e kapur në flagrancë është e tipit “kanabis sativa”. Policia në një komunikim për shtyp ka treguar se një sasi prej 97 kg u gjet në banesën e Velajt, ndërsa sasia tjetër si dhe një armë e tipit automatik është gjetur në banesën e Minajt. Arrestimi i të parit u bë për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”, ndërsa shtetasi Minaj akuzohet veç saj dhe për “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Aksioni i koduar “Shkëmbi i kuq” u zhvillua nga sektori i krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Fierit. Por, sipas burimeve të policisë, aksioni po vazhdon dhe në zona të tjera dhe persona të tjerë, të dyshuar se janë implikuar në këtë veprimtari të trafikut ilegal, me qëllim kalimin e drogës në shtetin fqinj, Greqi.