Bota, 360 gradë në fokusin fotografik
Alma Mile
Në fund të fundit kjo është bota. Një ndeshje me dema, një betim politikani, një buzëqeshje dyshuese, një tufë zogjsh në dëborë, një flamengo e ngrirë... Përmes aparatit fotografik të fotoreporterëve të dy agjencive telegrafike, asaj shqiptare ATSH dhe asaj franceze, AFP vjen “Shqipëria dhe bota 2008”. Një ekspozitë fotografike e hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, që sjell përmes celuloidit, disa prej ngjarjeve më të mëdha të vitit që lamë pas. Mes një galerie prej 85 fotografish, kryesisht me ngjyra e tek-tuk ndonjë ekzemplar historik bardhë e zi, mund të veçohet shpallja e pavarësisë së Kosovës, në shkurtin 2008. Nata e parë e pavarësisë, një qiell i përflakur flamujsh.. e si për të qëndruar në të njëjtën nuancë ngjyrash, aty pranë renditen disa foto të çiftit të bujshëm, Presidentit francez Nikola Sarkozi dhe ish-modeles, Karla Bruni, që diç i pëshpëritin njëri-tjetrit në vesh. Në krahun tjetër Kryeministri Berisha, ca më tej ndeshja historike e futbollit me Milanin. Ndonëse ai moment i përket këtij viti, organizatorët, nuk mund të mos përfshinin në këtë ekspoze edhe betimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, i cili me dorën e mbështetur në Bibël betohet solemnisht për besnikëri ndaj miliona amerikanëve që e shpallën si njeriun më të pushtetshëm të botës. Për të vazhduar më tej nga momente ngjarjesh artistike, ushtarake, apo sportive, si parada ushtarake, ndeshje me dema, karnavale, Dita e verës, etj. Natyra është pjesë e pandarë e fotografisë. Aparati ka fiksuar një dallgë deti, borën që ka zbardhur kalanë e Gjirokastrës, një pamje nga Qafa e Kërrabës, por edhe pamje të çuditshme, që na vijnë nga kënde të ndryshme të botës. Fotografitë e realizuara nga fotografët e agjencisë franceze dhe asaj shqiptare janë vendosur pa ndonjë rend të caktuar dhe vetëm prej diçiturave që mbajnë secila, mund të kuptosh se cila është dora e fotoreporterit të huaj dhe cila shqiptare. Mes larushive të fotove, disa prej të cilave nuk janë tërësisht të panjohura, pasi, duke qenë se lidhen me ngjarje të mëdha, kanë zënë vend në faqet e shtypit të huaj e vendës, të tërheqin vëmendjen disa syresh. Janë me përmasa më të mëdha dhe janë të zhveshura nga ngjyrat. Janë shkrepjet mitike të fotografëve të ATSH-së, nxjerrë nga arkivi i kësaj agjencie, si për të bërë lidhjen mes të shkuarës dhe së tashmes. Një copë nga jeta e Shqipërisë së pas çlirimit, që i ka rezistuar dekadave, vjen përmes këtyre shkrepjeve të aparatit. Një fotografi e vitit 1947 na sjell një pamje interesante nga Lumi i Bunës. Një lundër që transporton automjete përshkon ujërat e lumit. Janë makina tip i vjetër, që sot mund t’i hasësh vetëm në filmat e fillimshekullit të shkuar, apo në fotografitë e rralla të kohës. Tre makina, që koleksionistët do t’i ëndërronin qëndrojnë, mbi “tragetin” primitiv, e pranë tyre një tufë burrash, të veshur si ushtarakë, apo “à la frënga”, të cilët pozojnë për mjeshtrin që fiksoi atë moment. Ca më tej, ca statuja ilire, të larta gati një bojë njeriu, të shohin trishtueshëm. I ka gjymtuar koha, por se ç’kanë një lloj “fisnikërie”, që duket se ka mbetur vetëm dëshmi e paraardhësve. Janë disa shtatore të parkut arkeologjik të Apolonisë, të fotografuara vite më parë. Një tjetër fotografi, gati tronditëse është ekspozuar në ballë të sallës së galerisë. Titullohet “Plis”. Një këmbë e zbathur, e çarë i mëshon fort një beli, për të punuar tokën. E vështirë ta besosh se bëhet fjalë për një këmbë femre. Por ja që është e tillë. Nuk ka nevojë për më shumë, për të kuptuar se cila ishte jeta e gruas shqiptare në fshat. Këtë pamje e përforcon një tjetër foto, ku paraqiten dy gra, që mbushin ujë në çezmën e përbashkët. Mbushin enët dhe ia ngarkojnë kafshës që kanë me vete. Pamje të ngjashme sheh edhe sot, edhe pse organizatorët e ekspozitës nuk kishin dashur të bënin ndonjë paralelizëm, përkundrazi pamjet e kohëve moderne janë me ngjyra të forta e shfaqin mirëqenie. Madje, në një seri prej tyre flitet hapur për progres.