Pas 40 vite martesë, shishe në kokë gruas për xhelozi
KORÇE - Godet gruan me shishe në kokë për xhelozi. Ngjarja ndodhi në fshatin Qershizë të komunës së Çëravës në rrethin e Pogradecit, kur çifti që kishte 40 vite martesë u grindën. Sipas policisë, Pëllumb Hymetllari, 63 vjeç, është konfliktuar me bashkëshorten e tij. Nëna e katër fëmijëve ishte duke gatuar në kuzhinë, kur i shoqi i cili kishte konsumuar edhe alkool e qëlloi nga pas në kokë me një shishe qelqi. Teksa ka parë gruan e gjakosur, 63-vjeçari duke menduar se e kishte vrarë doli në oborrin e shtëpisë dhe nisi të kërkonte ndihmë tek të afërmit e tij. Këta të fundit e dërguan të plagosurën në spitalin e Pogradecit. Sipas mjekëve, gjendja e saj është jashtë rrezikut, ndërsa i kanë ndaluar hemorragjinë sapo ka mbërritur në spital. Viktima ishte plagosur me një xham edhe në dorë, teksa ishte munduar të mbronte kokën. Policia që mbërriti në spital shoqëroi Hymetllarin dhe pas marrjes në pyetje filloi ndjekja penale e tij, nën akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje”. Sipas burimeve të policisë, motivi i kësaj grindjeje mes bashkëshortëve ishte xhelozia. Blutë vendosën ta ndjekin në gjendje të lirë 63 – vjetarin, i cili pas ngjarjes shfaqi pendesë ndërsa u konstatua se ai kishte qenë edhe në gjendje të dehur. j.gj