Situatë e tensionuar në Irlandën e Veriut, sulmi i dytë kundër forcave të sigurisë
Tensioni në Irlandën e Veriut është rritur pasi dje u vra edhe një agjent policie me armë zjarri. Ai ishte qëlluar për vdekje nga të panjohur, ndërsa patrullonte me njësinë e tij. Ngjarja ndodhi dy ditë pas sulmit të grupit “Ira e vërtetë” kundër një baze ushtarake britanike, në të cilën dy ushtarë humbën jetën. Policia ka arrestuar dy persona: një 18 dhe një 37-vjeçar. Agjenti i policisë u vra pasi po patrullonte në zonën ku kishte sinjalizime për aktivitetet të dyshimta. Sulmi ka ngritur shumë dyshime kundër procesit të paqes në Ulster dhe situata konsiderohet e tensionuar politikisht dhe dramatike me sulmin e dytë ndaj forcave të sigurisë brenda pak ditësh. Kjo ishte hera e parë në më shumë se 10 vjet, që një oficer policie në detyrë vritet në provincën, ku ‘respektohet’ një proces i brishtë paqeje mes Unionistëve protestantë dhe nacionalistëve romano-katolikë. Kryeministri i provincës, Peter Robinson tha se i vinte neveri nga përpjekjet e terroristëve për të destabilizuar Irlandën e Veriut. Ndërsa sipas BBC, një zëdhënës i partisë kryesore Republikane, “Sinn Fein”, Xhon O’Doud, tha se sulmuesit nuk pranoheshin nga njerëzit në kutitë e votimit dhe do të vazhdonin të mos pranoheshin. Kryeministri britanik, Gordon Braun, zhvilloi të hënën një vizitë të shpejtë në Irlandën e Veriut, ku u takua me udhëheqës politikë vendas. “Ajo që pashë këtë mëngjes ishte unitetit i popullit të Irlandës së Veriut dhe uniteti i partive politike. Ata qëndrojnë të bashkuar, prapa paqes dhe procesit politik që kanë ndërtuar prej shumë vitesh. Ata do të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe duan t’i japin botës mesazhin, siç po bëj edhe unë, se procesi politik nuk do të lëkundet. Në fakt procesi politik është tani i palëkundur”, tha Braun.