Përkujtohet në 80-vjetor dr. Reis Baboçi
Sot ka ditëlindjen. U nda nga jeta pak muaj më parë dhe në këtë 80-vjetor të lindjes, dr. Reis Baboçin e kujtojnë me respekt të gjithë ata që e njohën dhe morën shërbimin e mjekut të nderuar. Lindi më 11 mars 1929 në një familje të respektuar qytetare. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes, Gjirokastër dhe në vitin 1949 i akordohet një bursë nga shteti shqiptar për studime në Fakultetin e Mjekësisë në Budapest, ku në vitin 1956 diplomohet me rezultate të shkëlqyera. Pasi kthehet në atdhe emërohet mjek pediatër në spitalin e Gjirokastrës, ku gjeti një skuadër mjekësh tepër të zotë. Pas 10 vjetësh emërohet nëndrejtor i spitalit dhe drejtor i Poliklinikës së qytetit, ku edhe sot kujtohet për punën e tij humaniste dhe të palodhur. Por gjatë fushatës “anti-liberaliste” në vitet 1966-1970, me motivacionin “Për liberalizëm dhe mosluftë klasash gjatë ushtrimit të detyrës si mjek pediatër” u internua në qytetin verior të Kukësit. Në vitin 1972 transferohet në Tiranë, ku nis punën pranë spitalit klinik të fëmijëve me titullin “punonjës shkencor”, detyrë të cilën e kreu për 18 vjet deri në daljen në pension. Gjatë kësaj kohe u mor edhe me studime shkencore, mes të cilëve spikat studimi mbi sëmundjen e rakitizmit tek fëmijët nën 3 vjeç, me të cilin ka mbrojtur edhe temën e disertacionit (1988).