E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk mund të lejojmë që Greqia të shndërrohet në një tjetër Lehman Brothers

Le të flasim për Greqinë dhe krizën e euros. Në vitin 1992, një figurë e shquar e kristiandemokratëve gjermanë, parti së cilës ju i përkisni u bëri këtë premtim qytetarëve gjermanë: “Nëse një vend akumulon një deficit të lartë për shkak të mënyrës së keqe të menaxhimit të financave, as Bashkimi Europian dhe as ndonjë vend anëtar i organizatës nuk është i detyruar që ta ndihmojë atë vend”. A e dini se kujt i përkasin këto fjalë?

Këto fjalë mund t’i kenë thënë shumë njerëz.

Në fakt, i ka thënë Presidenti aktual i vendit, Horst Kohler, që negocioi pikat e Bashkimit Monetar Europian në atë kohë, në pozicionin e tij si zyrtar i lartë i Ministrisë së Financave të Gjermanisë, a vlen kjo fjali edhe për sot dhe mbi të gjitha a aplikohet?

Unë besoj shumë në bashkimin monetar. Në atë kohë kam menduar krejtësisht si Presidenti ynë. I vetmi problem është se bota ndërkohë ka ndryshuar. Tregu i kapitaleve është bërë shumë më global dhe madje në atë shkallë sa vite më parë ka qenë e paimagjinueshme. Dhe ne kemi përjetuar një krizë të rëndë financiare prej së cilës Europa duhet që të dalë me një mësim shumë të qartë: “Ne nuk mund të lejojmë falimentimin e një shteti të zonës euro si Greqia që të shndërrohet në një ‘Lehman Brothers’ të dytë”

Më duket se po e ekzagjeroni. Vitet e fundit ka pasur shumë shtete që nuk kanë mundur që të paguajnë borxhet e megjithatë, kjo nuk çoi në rrënimin e sistemit financiar botëror. Përse rasti i Greqisë duhet parë ndryshe?

Sepse Greqia është anëtare e eurozonës. Borxhet e Greqisë janë në euro. Për këtë arsye një falimentim i vendit do të kishte pasoja të pallogaritshme. Greqia është po aq e rëndësishme sa edhe një bankë e madhe.

Po, por në përpjekje për të parandaluar falimentimin e shtetit grek ju po shkelni marrëveshjet e BE-së. Këto marrëveshje e përjashtojnë mundësinë e një pakete shpëtimi për vendet që janë në krizë.

Në fakt, nuk është tamam kështu. është e vërtetë që asnjë vendi anëtar nuk mund t’i kërkohet që të bëjë pagesa financiare për shtetet e tjera, por nëse një vend dëshiron që të ofrojë asistencë në mënyrë vullnetare, si në rastin e Greqisë, kjo jo vetëm që lejohet, por madje është edhe në interesin e vendit përkatës, Gjermanisë në këtë rast. Ne të gjithë përfitojmë kur arrijmë stabilitetin e zonës euro.

Po, por kjo nuk është ajo çka kanë ditur deri më tani gjermanët për bashkimin monetar. Ata u siguruan se euroja do të ishte e stabilizuar siç ishte edhe marka gjermane. Tani një pjesë e parave të tyre do të shkojë në xhepat e një vendi në të cilin një e katërta e popullsisë punon në sektorin publik dhe pensionet janë shumë shpesh më të larta se pagat. A mendoni se është kjo mënyra e duhur për të shtuar besimin e njerëzve tek euroja?

Unë do të tregohesha i kujdesshëm para se të nxisja një populizëm të lirë. Pikësëpari, çdo gjerman që ka kaluar pushimet në Greqi e di se standardi i jetesës në Greqi nuk është më i lartë se në Gjermani. Së dyti, Greqia është duke paguar një çmim shumë të lartë për asistencën europiane.

Megjithatë, që prej muajsh qeveria gjermane iu kundërvu me shumë pasion shpëtimit financiar të Greqisë. Përse u tërhoqët nga kjo linjë dhe vendosët për planin e shpëtimit që u formulua së fundi dhe sipas të cilit Gjermania duhet që të nxjerrë 8 miliardë euro nëse Greqia nuk do të mund t’ia dalë krizës?

Ne nuk u tërhoqëm aspak. Kemi thënë gjithmonë se para se të flitet për asistencë, Greqia duhet që të ketë bërë më parë detyrat e saj të shtëpisë. Ndërkohë, qeveria greke ka aprovuar një program të jashtëzakonshëm të shkurtimit të shpenzimeve që në fakt përbën një goditje të rëndë financiare për qytetarët. Kjo është arsyeja që qeveria gjermane është e përgatitur tani që të mbajë përgjegjësi në një nivel europian.

Mendoj se të gjithë ne i kuptuam ndryshe fjalët e Kancelares gjermane në atë kohë?

Mund të ketë qenë thjesht interpretimi yt.

Por ne nuk ishim të vetmit. Merkel u quajt nga shumë shtete europiane si “Zonja Jo”, sepse në Bruksel ajo iu kundërvu tërësisht ndihmës gjermane për Greqinë.

Ky përcaktim ka qenë tërësisht i gabuar. Kancelarja ka thënë vazhdimisht se ne kemi dëshirë që të japim asistencë vetëm në rast se ajo do të jetë një mundësi e fundit për Greqinë.

Me fjalë të tjera ju keni luajtur poker?

Kjo do të ishte një shprehje e gabuar. Situata është shumë serioze për t’i dhënë mundësinë vetes që të luajmë. Gjermania ka marrë rolin e saj drejtues në Europë. Ne do ta ndihmojmë Greqinë nëse qeveria e saj, pas të gjitha përpjekjeve të mundshme, pavarësisht programit të rëndë të shkurtimeve në shpenzime do të bjerë viktimë e spekulimeve të monedhës.

Po, por mendoj se gjermanët e zakonshëm e shohin atë ndryshe. Ata e kuptuan se Merkeli tha atë që tha edhe vetë gazeta “Bild” pra “Grekët nuk do të marrin asgjë”

Ky ishte një ekzagjerim dhe nuk ka qenë aspak i rregullt. Që një Europë të jetë efektive ekonomikisht dhe politikisht kjo nuk mund të jetë veçse në të mirë të gjermanëve. Bashkimi monetar është shumë frytdhënës për ne dhe për industrinë tonë të eksportit. Kjo duhet theksuar vazhdimisht edhe nëse sondazhet na tregojnë se nuk është një vendim popullor.

Por Kancelarja krijoi ndjesinë se ajo po u kushtonte shumë më tepër vëmendje sondazheve se gjërave të tjera?

Sepse Kancelarja nuk ka të bëjë vetëm me Brukselin në këtë rast, por edhe me popullin e saj dhe me Parlamentin që do ta miratojë këtë vendim.

Me fjalë të tjera, ju pretendoni se në fund Merkel dhe ju i morët vendimet tuaja për gjërat më të domosdoshme dhe në momentin e fundit?

Ne jemi të përgatitur për të bërë atë që është e nevojshme dhe do ta bëjmë në momentin e duhur.

I vetmi problem është se zor se ndokush mund të besojë se ristrukturimi i Greqisë do të jetë i suksesshëm. Masat e shtrëngimit ekonomik kanë goditur rëndë rritjen ekonomike të vendit.

Sigurisht që ky është një çmim që do ta paguajë Greqia. Nuk ka qenë ndryshe as rasti në Irlandë, apo Estoni. Këto pasoja janë të pashmangshme.

Kriza greke është veçanërisht e përfolur dhe e mbushur me kundërthënie, sepse ka edhe vende të tjera të zonës euro që gjithashtu e kanë lakun në fyt për sa i takon borxhit. çfarë do të ndodhte nëse Portugalia, Italia apo ndonjë vend tjetër do të ishin në të njëjtën situatë si Greqia?

Nuk ka asnjë indikacion që një situatë krizë e rëndë do të kapë këto vende dhe kjo është arsyeja që asnjë ministër i Financave nuk i përgjigjet një pyetjeje të tillë spekulative. Nëse do ta bënte një gjë të tillë do të ishte për të vetmen arsye se nuk do të ishte duke e bërë mirë punën e tij.

A nuk do të ishte e rëndë për Europën për shembull që të mos i vinte dot në ndihmë një vendi si Spanja, pasi të kishte ndihmuar në një vështirësi të madhe Greqinë?

Ne duhet që të parandalojmë rreziqet sistematike në Europë. Korniza e duhur për këtë ekziston tashmë. është Pakti i Rritjes dhe Stabilitetit që bën thirrje për sanksione shumë strikte për anëtarët që zhyten thellë në borxhe.

Por pakti nuk ka funksionuar asnjëherë, sepse zona euro e ka anashkaluar atë vazhdimisht.

Ne duhet që ta ristrukturojmë paktin me rregulla të reja dhe më të mira. Po punojmë për këtë tani. Presidenti i Këshillit të Europës ka njoftuar tashmë një takim fillestar për një task-force që do të diskutojë edhe propozimet përkatëse. Unë do të bëj pjesë në këtë komision.

Shumë ekonomistë thonë se Europa nuk mund të përballet me një rast të dytë si ai i Greqisë. Jeni dakord me një gjë të tillë?

Unë besoj se këta ekonomistë nuk e kanë kuptuar ende se me këto që po thonë po hedhin benzinë në zjarr. Situata e Greqisë nuk mund të krahasohet me asnjë situatë tjetër. Në këtë vend ka pasur vazhdimisht probleme me shifrat dhe në këtë kuadër mund të pyesim veten nëse do të kishte mundur zyra e statistikave e BE-së që të kishte vënë re më parë këto probleme.

Komisioneri europian i çështjeve monetare, Olli Rehn, ka propozuar krijimin e një fondi për falimentime të tjera të mundshme. çfarë mendoni për të?

Nëse do të na duheshin procedura për raste të ngjashme me atë të Greqisë do të na duhet gjithashtu që të diskutojmë në lidhje me kreditorët dhe kostot e tyre. Kur një kompani shpall falimentimin, kreditorët duhet që të braktisin disa nga pretendimet e tyre dhe e njëjta metodë duhet që të vazhdojë edhe për sa i përket një shteti. Zgjidhja e këtij problemi është gjëja më e rëndësishme. Por për të bërë një gjë të tillë nuk është i domosdoshëm një fond. Unë mendoj se është i nevojshëm vetëm një rregullator i mirë.

Rehn kërkon që të reformojë rregullat e euros pa menduar traktatet europiane. A mendoni se kjo është e mundur?

Unë seriozisht që e dyshoj një gjë të tillë. Nuk mendoj se një gjë e tillë do të ishte e mundur brenda kuadrit të marrëveshjeve aktuale.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›