Interi e ka vendosur: Baloteli do të largohet
Në fund të ndeshjes me Barcelonën hoqi fanellën nga trupi, e sipas gjasave nuk do ta veshë më pas këtij sezoni. Mario Baloteli dhe Interi po shkojnë drejt “divorcit” me konsensus, një lajm që natyrisht bën shumë zhurmë. Klubi zikaltër, me në krye Masimo Moratin, ka kuptuar se marrëdhënia e lojtarit me shokët e skuadrës dhe me tifozët nuk mund të riparohet më. Për rrjedhojë, ata kanë vendosur ta nxjerrin në shitje sulmuesin e talentuar me një kusht: që destinacioni i ardhshëm i 19-vjeçarit do të vendoset nga Interi. Kësaj radhe “SuperMarios” nuk do t’i mjaftojë as ndjesa. Madje, është e lehtë të parashikohet që ai nuk do të kërkojë aspak falje. Pavarësisht gjestit dhe fanellës së hedhur në fushë, Baloteli duket se nuk e ndien më (ndoshta nuk e ka ndierë kurrë) afrimitet me skuadrën zikaltër. Në anën tjetër, Interi nuk duket më i gatshëm t’i falë lojtarit edhe këtë episod. Lojtari i U-21 të Italisë po ndjek një rrugë të ndryshme nga ajo e pjesës tjetër të grupit dhe nxjerrja e tij në merkato duket lëvizja më logjike: një vendim që trajneri e mbështet dhe që tifozët “ultras” nuk do ta kontestojnë. Destinacioni më i mundshëm i Balotelit është Premiershipi anglez, me Arsenalin dhe Mançester Sitin që duken të avantazhuara.
#