Tërbohet Spanja: Grabitje italiane
Pas humbjes 3-1 që Barcelona pësoi në “San Siro” përballë Interit, mediat spanjolle akuzojnë gjyqtarin portugez, Olegario Benkuerença, i cili akordoi si të rregullt golin e tretë të zikaltërve me Militon në pozicion të dukshëm jashtë loje dhe i mohoi “blaugranave” një penallti. Gjithsesi, gazetat nuk kanë harruar të vlerësojnë paraqitjen e mirë të skuadrës së Zhoze Murinjos dhe faktin se Barça nuk paraqiti nivelin e zakonshëm të lojës. “Robo a la italiana” (Grabitje italiane), ishte titulli i madh në faqen e parë të “Sport”, që shtonte se “arbitri portugez, një mik i Murinjos akordoi golin e tretë në pozicion jashtë loje dhe i mohoi katalanëve një penallti pas faullit të Shnajder ndaj Dani Alvesh”. “Grabitje” ishte edhe titulli i përdorur nga “El Mundo Deportivo”, e cila në faqen e dytë nënvijëzonte “Grabitje portugeze”. “Kampionët bien në ‘San Siro’, duke u shndërruar në viktimën e Interit dhe të një gjykimi jo të denjë për Champions League”, shpjegonte gazeta e Barcelonës, e cila më tej shkruante se “goli i Militos ishte i parregullt, ndërsa gjatë lojës u regjistruan dy faulle të qartë që mund të ndëshkoheshin me penallti ndaj Pike dhe Alvesh”. Kjo e përditshme sportive e Katalunjës, që tradicionalisht qëndron pranë klubit, i ka dedikuar edhe një faqe “bilbilit” portugez me titullin: “Olegario, miku i besuar i Mou”. Duke menduar për përmbysjen në “Kamp Nou”, nuk mund të mungonin edhe statistikat, duke rikujtuar të gjitha humbjet 3-1 në ndeshjen e parë. Katalanët kanë arritur të përmbysin humbje të tilla me Dinamon e Kievit në vitin 1994 dhe me çelsin në vitin 2000, por në tre raste të tjera ata janë eliminuar. Për sa i takon Interit, italianët janë kualifikuar 4 herë në 5 raste kur e kanë fituar sfidën e parë me këtë rezultat. Kjo ishte hera e parë në 114 ndeshje që skuadra drejtohet nga Guardiola, ku Barça humbet një ndeshje me më tepër se një gol diferencë. Pas disfatës “El Periodico” përdorte titullin “Rrëzim në Milano”, ndërsa “La Vanguardia” theksonte se “Champions komplikohet”. Edhe në faqet e brendshme të këtyre dy gazetave, analiza ishte thuajse e njëjtë: mbrëmja e dobët e “blaugranave” të Guardiolës, gabimet e gjyqtarit dhe Murinjo që tregohet i përmbajtur. “La Vanguardia” citon trajnerin e Interit, i cili kishte deklaruar: “Në takimin e kthimit duhet të djersijmë gjak”.
Ndërkohë, situata paraqitet ndryshe në Madrid. Në kryeqytetin spanjoll elozhet janë të gjithë për Murinjon, trajnerin që ëndërrojnë ta kenë, të përzgjedhurin për ta rikthyer Realin në majën e futbollit europian dhe atij botëror. “Mou më pranë ‘Bernabeut’”, ishte loja e fjalëve që “Marca” përdorte në faqen e parë: finalja e Champions-it do të luhet më 22 maj në stadiumin madrilen, por në titullin e madh nënkuptohej për një periudhë pak më të vonë, për sezonin e ardhshëm. Në anën tjetër, “As” përgjigjej me “Në sulm për Murinjon”. “Portugezi i dha Guardiolës shtatëdhjetë minuta leksion taktik. Neutralizoi Ksavin dhe Mesin. Paraqitjet e jashtëzakonshme të Shnajder, Zhulio Sezar, Zanetit dhe ish-lojtarit të Barçës, Tiago Mota”, ishin disa prej pikave kryesore të analizës së “Marca”-s. Ndeshjes i është lënë një hapësirë e vogël edhe në kolonat e “Mundo” dhe “El Pais”: “Interi largon Barçën nga ‘Bernabeu’” dhe “Barça zhgënjen me Interin dhe vë në rrezik finalen e ‘Bernabeu’-t”.
#