E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania, pa pakt për Qeverinë



Qeveria e re e Britanisë nuk do të formohet të paktën deri të hënën. Kështu kanë konfirmuar për mediat britanike konservatorët e David Kameron, të cilët tashmë janë forca më e madhe politike në Britani. Edhe lideri i liberal-demokratëve, që janë kthyer në forcën më vendimmarrëse në Britani, pasi kanë në dorë se nga do të anojë “peshorja” politike, ka konfirmuar se ka ende nevojë për bisedime të mëtejshme për të formuar qeverinë e re, por të gjitha gjasat janë që koalicioni mes tyre të formohet. Edhe nëse kjo nuk ndodh, ka ende mundësi të tjera. Kryeministri Gordon Braun i ka ftuar publikisht liberal-demokratët që të nisin bisedimet me laburistët, nëse negociatat e tyre me konservatorët dështojnë. Por kjo është më e komplikuar, pasi edhe po të mblidhen votat e të dyja partive, nuk do të kenë deputetë të mjaftueshëm në Dhomën Përfaqësuese prej 650 ulësesh. Lideri laburist, Braun, tha se Konservatorët dhe liberal-demokratët kanë të drejtën për t’u përpjekur të parët për të formuar një qeveri, edhe pse si Kryeministër në post, sipas Kushtetutës britanike, përpjekja e parë i takon atij. Këto janë zgjedhjet e para “pa konkluzion”, që nga viti 1974. është e rrallë që Britania të drejtohet nga një koalicion, por ka shumë mundësi që ai të jetë një pakt, ku liberal-demokratët të mbështesin Qeverinë e konservatorëve në zbatimin dhe miratimin e programit legjislativ në këmbim të koncesioneve. Bisedime të nivelit të lartë mes liberal-demokratëve dhe konservatorëve do të zhvillohen edhe gjatë paradites së sotme, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Nik Kleg, kreu liberal-demokrat, parashikoi se bisedimet për të formuar qeverinë mund të zgjasin edhe disa ditë dhe ai tha se do të ngulmojë për katër prioritete të tij. Këto përfshijnë taksa të drejta, ndryshime në sistemin e arsimit për të nxitur shanset për nxënësit e varfër, një këndvështrim i ri mbi ekonominë dhe reformë themelore politike. Sot negociatorët e dy palëve takohen në orën 11:00 paradite. Partia Laburiste, e cila është në fuqi që nga viti 1997, pësoi humbje të mëdha në zgjedhjet e 6 majit. “Partia Konservatore ka fituar më shumë vota në këto zgjedhje se 80 vitet e fundit, madje më shumë seç ka pasur kur drejtohej nga Margaret Thatcher në vitin 1979, - tha Kameron. - Jam shumë krenar për fushatën elektorale që kemi bërë, një fushatë e bazuar mbi shpresën dhe jo frikën. Konservatorët kanë marrë mbi 2 milionë vota më shumë se Partia Laburiste”, u shpreh ai.

Braun, i zemëruar me Kleg
Gordon Braun ka pasur një shkëmbim të zemëruar me Nik Kleg, kreun e liberal-demokratëve. Sipas BBC-së, një prej gazetarëve, Jon Sopel, ka thënë se një burim i ka konfirmuar atij se biseda ka marrë tatëpjetën, kur z. Kleg i ka sugjeruar z. Braun se ai duhet të japë dorëheqjen. Por laburistët dhe liberal-demokratët kanë komentuar pas publikimit të lajmit se, biseda ka qenë “miqësore”. Tre liderët e forcave më të mëdha politike në Britani u takuan dje paradite në ceremoninë përkujtimore të 65-vjetorit të kapitullimit të forcave naziste dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›