E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajern përballë Getafes debutuese

Shorti i fazës çerekfinale të Kupës UEFA ka siguruar disa përballje shumë interesante. Bavarezët e Bajernit të Mynihut, pretendentët kryesorë të këtij trofeu, do të jenë përballë debutuesve të Getafes, skuadrës së vetme spanjolle të mbetur në garë. Nëse ekipi gjerman dëshiron të fitojë trofeun që i mungon nga viti 1996, spanjollët e drejtuar nga Majkëll Laudrup kanë si detyrë të mbajnë lart emrin e vendit të tyre, nga i cili kanë dalë 4 fitues në 5 edicionet e fundit. Bajerni i Mynihut është një nga tre fituesit e mëparshëm të këtij trofeu, përkrah ekipit tjetër gjerman të Bajer Leverkusenit dhe PSV Einthovenit. Leverkuseni eliminoi Barcelonën në çerekfinale 20 vjet më parë, duke arritur më pas të fitojë trofeun, ndërsa tani do të ketë një sfidë më të lehtë përballë rusëve të Zenit. Megjithatë, ekipi i Shën Petersburgut është shquar për surpriza, sidomos në fushën e tij, ashtu siç veproi edhe me francezët e Olimpikut të Marsejës në turin e kaluar. Skocezët e Rejnxhërsit, pasi eliminuan një skuadër të vështirë si Verder Bremeni, do të përballen në çerekfinale me Sportingun e Lisbonës, finaliste e edicionit 2004/05. Ndërkohë, sfida tjetër vë përballë dy ekipet të cilave iu deshën gjuajtjet nga pika e bardhë e 11-metërshave për të kaluar në çerekfinale, Fiorentinën dhe PSV Einthoven. Të dy skuadrat e kanë si objektiv arritjen në fazën finale të turneut, ndaj përplasja mes tyre do të jetë nga më të ekuilibruarat e çerekfinaleve.

Kupa UEFA

Çerekfinalet

3 prill - 10 prill

1. Leverkusen-Zenit

2. Rejxhërs-Sporting L.

3. Bajern-Getafe

4. Fiorentina-PSV

Gjysmëfinalet

24 prill - 1 maj

Fitues 3 - Fitues 1

Fitues 2 - Fitues 4

Finalja

14 maj në Mançester

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›