E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida italo-angleze, një "deja vu" e vitit të kaluar

Një nga sfidat më interesante të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve do të jetë ajo mes Romës dhe Mançester Junajtid, të cilat u përballën në këtë tur të turneut edhe gjatë edicionit të kaluar, pa harruar që kanë qenë përballë edhe në fazën e grupeve të këtij vit. Në edicionin e kaluar, Mançester Junajtid kaloi në gjysmëfinale, pasi shkatërroi 7-1 ekipin italian në "Old Traford", ndërsa tani është Roma që kërkon hakmarrje për turpërimin ndërkombëtar. Trajneri i italianëve kujton pikërisht disfatën e vitit të kaluar, duke e cilësuar një mundësi të mirë për të rishkruar historinë. "Ajo humbje është një njollë e errët në historinë tonë, por tani kemi mundësinë të shlyejmë gabimin, ndaj një short i tillë është i kënaqshëm për ne. Cilat janë përqindjet e kalimit në gjysmëfinale? Mund të them 50%", u shpreh Luçiano Spaleti pas hedhjes së shortit. Ndërsa Aleks Ferguson e ka cilësuar shortin si të veçantë, pasi tashmë dy skuadrat e njohin shumë mirë njëra-tjetrën. "Është e jashtëzakonshme, pasi prisja si kundërshtare një skuadër angleze. Do të luajmë me Romën për të gjashtën herë brenda një viti. Do të jetë një sfidë mjaft intriguese, pasi e njohim mirë këtë skuadër dhe ajo na njeh shumë mirë ne. Jashtë sferës sportive, mendoj edhe për tifozët, pasi në ndeshjet e këtij edicioni në kryeqytetin italian siguria në stadiume ishte përmirësuar ndjeshëm. Megjithatë, mbetem i shqetësuar, pasi në çerekfinale do të ketë më shumë tifozë anglezë që do të dëshirojnë të shohin ndeshjen", u shpreh Ferguson, duke kujtuar incidentet e vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›