Mançini vendos kushtet e qëndrimit
Në takimin që ka rivendosur paqen e brishtë për titullin, Roberto Mançini ka parashtruar problemet e tij. Trajneri i Interit i ka komunikuar presidentit Masimo Morati gjithçka që nuk i shkon për shtat, gjëra të cilat mundohej prej javësh t‘i diskutonte, por pa arritur asnjëherë të takohej me drejtuesin më të lartë të klubit (përgatitjet për festën e 100-vjetorit të themelimit të skuadrës kishin zënë të gjithë axhendën e presidentit). Një pjesë të mirë të diskutimit e ka zënë edhe sjellja jo e përshtatshme e disa futbollistëve, që klubi nuk i ka ndëshkuar: nuk janë marrë masa për ata që kanë qenë shumë aktivë në jetën e natës, Vieira nuk është gjobitur për skenën pas zëvendësimit në Xhenoa, si edhe anoncimi i rinovimit të kontratës me Luis Figon, me të cilin marrëdhëniet e këqija janë të dukshme. Mançini kërkon të zgjidhë një herë e mirë edhe debatin e famshëm me mjekun e skuadrës (doktor Kombi), me të cilin ka pasur gjithmonë polemika rreth kohës së rikuperimit të lojtarëve. Për të gjitha këto probleme, Morati i ka bërë të ditur teknikut se do të diskutojnë sërish në qershor, përpara fillimit të sezonit të ri.
Tjetër shqetësim i trajnerit zikaltër është merkatoja: pavarësisht se kishte arritur një bashkëjetesë të kënaqshme me "armikun e vjetër", Branka, ai nuk është i kënaqur me blerjet e janarit. Mançini kishte kërkuar Elanon, ose Konkon e Obodon si alternativa, ndërsa klubi i bleu një lojtar më pak të kushtueshëm (që është i huazuar për gjashtë muaj) Manike, që sipas trajnerit nuk është i vlefshëm nga pikëpamja atletike. Kjo ishte edhe pjesa më e rëndësishme e bisedës, qoftë për klubin, ashtu edhe për të ardhmen e trajnerit, pasi Mançini ka informuar presidentin se për të qenë konkurrues në Champions, skuadrës i nevojiten jo pak ndryshime (të cilat natyrisht kushtojnë). Sipas këndvështrimit të trajnerit, Interi do të vazhdojë të shpenzojë, por me të drejtë tashmë Morati duhet të fillojë të pyesë veten nëse do t‘i kushtojë më shumë të mbajë trajnerin aktual, apo të afrojë në krye të skuadrës Hoze Murinjon. Për të krijuar një ide: Mançini kërkon largimin e Figos, Krespos, Vieirasë, Adrianos dhe Manikes, e dëshiron që të afrohen Rakitiç, Jovetiç, Konko, Akuilani dhe Barzalji (në ëndrrat e tij është edhe njëri ndërmjet Mesit dhe Aguerros). Një merkato, që pa dy emrat e fundit kërkon në total afro 70 milionë euro shpenzime. Megjithatë, gjithçka është shtyrë për në të ardhme...