E Hënë, 2 Nëntor 2026

Barça eviton "ferrin" anglez

Kundërshtari i Barcelonës në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve do të jetë Shalke, ndërkohë që fituesi i këtij çifti do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e çiftit Mançester Junajted-Roma. Ndeshja e parë (në datën 1 prill) do të luhet në "Gelshenkirshen", ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet në "Kamp Nou" vetëm tetë ditë më pas. Drejtori sportiv i katalanëve, Çiki Begirishtajn, është shprehur i lehtësuar që Barça ka evituar përballjen me një nga katër skuadrat angleze. Ai tha: "Është e vërtetë që ata (Premier Liga) kanë investuar shumë para në futboll dhe duket qartë se skuadrat angleze kanë një ecuri shumë të mirë. Kjo është arsyeja përse në çerekfinale u kualifikuan katër britanike. Ata janë kampionati më i fortë në botë. Stili i tyre (skuadrave angleze) është shumë i ndryshëm. Stili i futbollit spanjoll është i këndshëm, por nuk mund të krahasohet me lojën e tyre të shkëlqyer. Mendoj se Premiershipi është aktiviteti më i fortë në kontinent". Më tej, ai ka folur për Shalken: "E respektojmë këtë kundërshtar, pasi ata mundën Porton, që është një skuadër e fortë. Duhet të tregohemi të kujdesshëm. Jemi të kënaqur, pasi ndeshjen e dytë e luajmë në shtëpi". Sfidë në pamje të parë të lehtë do të ketë edhe Çelsi me Fenerbaçen. Por, trajneri Grant kërkon vlerësim maksimal për turqit: "Asnjë kundërshtar që arrin në çerekfinale të Championsit nuk duhet nënvlerësuar. Ata eliminuan Seviljan, ndërkohë që në grupe spanjollët mundën Arsenalin. Shorti nuk është i thjeshtë, por objektivi ynë është të shkojmë në finale".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›