Kupa shkon ne Poloni
E zonja e shtëpisë, kryetarja e bashkisë së Varshavës, Hana Gronkievic-Valc, mirëpret kupën e artë.
“Unë shpresoj që prej këtij momenti ne të ndjejmë atmosferën e fitores. Jemi të lumtur që kemi trofeun në Varshavë sot dhe ditët e ardhshme”, u shpreh ai.
Mik në ceremoninë e organizuar për të pritur kupën ishte edhe ish-kampioni i Europës me Francën në vitin 2000, Kristian Karembë.
“Jam i lumtur sepse ky trofe do të thotë shumë për mua. Është një nga titujt më të bukur për mua në Europë. Është diçka e madhe që të gjithë bashkë po bëjmë të mundur fillimin e këtij turneu. Madje, tashmë ka nisur sepse trofeu është këtu, në Poloni, dhe do të shkojë në Ukrainë”, nënvizoi Karembë.
Ceremonia vazhdoi me fotografi të kryebashkiakes me zyrtarë të UEFA-s, ndërsa më pas makina me trofeun në gjirin e saj doli nëpër rrugë, nën shoqërinë e skuadrës së vajzave të spektaklit që i jepnin më shumë bukuri atmosferës.
Gjithsesi, tifozët polakë nuk janë shumë optimistë për shanset e skuadrës së tyre në këtë Europian. Një banor i Varshavës, i quajtur Mateush shprehet se “sa për ne, polakët, nuk është se nuk kemi shpresa, por unë personalisht dyshoj se do të fitojmë”. Një tjetër, Kristof Stavarski, ka edhe më shumë dyshime kur thotë se “është një llotari, por nuk do të vija bast, basti im është për gjermanët”.
Së fundi, Aleksandri që thekson se “unë jam optimist dhe realist, ne do të luftojmë trimërisht, por nuk do të jemi kampionë këtë herë, do ta fitojmë kupën pas 5 edicionesh”.
Gjithsesi, derisa të nisë e të përfundojë kampionati, kjo kupë e shkëlqyer ka kohë që të gëzojë banorët e Varshavës dhe të Polonisë e Ukrainë me dritën e saj prej ari.