Bajerni: Nuk jemi inferiorë
06/04/2005 Megjithëse koha ishte shumë e vranët, e ftohtë dhe me erë në momentin, kur Bajerni i Mynihut zbriti në aeroportin e Londrës, për t'u përballur sot, me Çelsin, në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve, në sytë e bavarezëve ndihej një siguri e madhe se këta do t’ia dilnin mbanë. “Çelsi është vërtet favorit, megjithatë ne nuk mund të quhemi inferiorë ndaj tyre. Nëse do të luajmë ashtu si ndaj Arsenalit, atëherë kemi shumë shpresa për të ardhmen. E rëndësishme është të shënojmë të paktën një gol” – shprehet nënpresidenti i Bajernit, Karl Hainc Rumenige. Ndërkohë, trajneri i skuadrës, Feliks Magath, duket të jetë më optimist se Rumenige, megjithëse nga Çelësi nuk ruan aspak kujtime të mira. Pothuajse një vit më parë, kur Magath drejtonte Shtutgartin, ata morën vetëm një barazim në fushën e londinezëve, por humbja 1-0 e ndeshjes së mëparshme mes tyre, ua ndërpreu rrugën në “klasën mbretërore”. “Unë di gjithçka për Çelsin. Kur u hodh shorti, ata u cilësuan si favoritët kryesorë, por ne e kemi përmirësuar vazhdimisht formën tonë. Jam i bindur se mund të fitojmë” – shprehet Magath. Te Bajerni duket të jetë rritur së tepërmi optimizmi, pas fitores së pastër 3-0, ndaj Volfsburgut në fundjavë. “I dua të tre titujt dhe jam i bindur se do ta arrijmë këtë” – pohon edhe kapiteni, Oliver Kahn. Një prej faktorëve që i bën më optimistë bavarezët, është paraqitja e suksesshme e tyre gjatë ndeshjeve në Angli. “Çelsi mund të jetë favorit, por ndaj skuadrave angleze, ne kemi qenë gjithmonë shumë të fortë” – shton Mikael Balak. Megjithatë duhet pohuar se Çelsi do të jetë një “kockë” më e fortë për bavarezët se Arsenali, pasi ata kanë pësuar vetëm 11 gola, gjatë 31 ndeshjesh të zhvilluara gjatë këtij sezoni në kampionatin vendas, ku 22 herë e ka ruajtur të paprekur portën. “Çelsi luan njësoj si ne. Ata kanë një mbrojtje të fortë dhe është vëshirë të depërtosh mes tyre” – mendon Biksente Lizarazu, ndërkohë që taktika e Magathit do të jetë krejt ndryshe nga ajo e Barcelonës ndaj londinezëve. “Natyrisht, ne nuk do të sulmojmë si Barcelona. Synimi ynë kryesor do të jetë të shënojmë golin e parë”- thotë tekniku. Shqetësimi aktual për Bajernin duket të jetë mungesa e Klaudio Pizarros, ndërkohë që Roi Makai më në fund do të jetë në dispozicion të Magathit. “Makai do të jetë në fushën e lojës dhe pranë tij do të sulmojë Guerrero” – pohon Magath. Nga ana tjetër, mesfushori anglez i Bajernit, Ouen Hargivs, ka shtuar: "Nëse do të mundim Çelsin, atëherë mund të fitojmë edhe Ligën e Kampioneve”.