E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Si e blemë shtëpinë e Çabejt për 60 mijë lekë”

Kushdo prej turistëve që mbërrin në qytetin e gurtë, krahas njohjes me vlerat e papërsëritshme të objekteve muzeale që ka Gjirokastra, më së shumti në axhendën e tyre figurojnë edhe vizita në banesat e njerëzve me emër.

PIRRO NASE

Shtëpia e Enver Hoxhës, shkolla e parë shqipe “Drita”, banesat e Ismail Kadaresë dhe Eqerem Çabejit, shpeshherë kanë pasur vizitorë kryesisht të huaj. Por e vetmja që nuk e ka “tradhtuar” banesën e Çabejit është bujtësja e fundit. Leme Sejdo, 85 vjeçe, është gruaja e moshuar që jeton sot me frikë në zemër pasi siç thotë ajo, tavani i banesës është shumë i dobët dhe nga çasti në çast mund ta zërë brenda. Ajo ka gjetur ta krahasojë këtë rrezik potencial me një thënie tepër figurative të hershme gjirokastrite “lamtumirë spinaq se na erdhi laboti”. Në një intervistë për gazetën Sejdo tregon vitet në këtë shtëpi plot vlera.
Si arrini që të jetoni këtu në këtë banesë e vetme dhe me frikë, në një kohë kur keni mundësi të largoheni e të jetoni me fëmijët?
E kam të vështirë të largohem nga kjo shtëpi, sepse këtu kam kaluar çastet më të bukura të jetës sime. Këtu unë kam lindur të tre fëmijët e mi, dy vajzat dhe djalin dhe kështu që e kam të vështirë të largohem. Juve thoni që përse nuk shkon tek fëmijët që keni, por unë po ju përgjigjem që plaku më mirë të qëndrojë vetëm sesa të bezdisë të tjerët.
Prej sa vitesh jetoni në banesën e Çabejit?
Këtu, unë me burrin që sot nuk jeton, kemi ardhur në vitin 1960 dhe atëherë unë kam qenë grua e re dhe mbaj mend që ka qenë një shtëpi mjaft e bukur që e kishin zili të gjithë njerëzit që jetonin në këtë mëhallë. Atëherë vlera e shtëpisë ka qenë shumë herë më e ulët sesa mund të kushtojnë vilat sot në Gjirokastër. Ne e kemi blerë këtë shtëpi për 60 mijë lek të vjetër. Mbaj mend që më tha burri im që të shkoja e të merrja lekët që kisha depozituar në bankë me mundim dhe t’i bashkoja me lekët që kishin grumbulluar për ta blerë atë, kështu që e morëm të rregullt dhe të mbajtur.
Nga kush e bletë banesën nga vetë Eqrem Çabej apo nga ndonjë pjesëtar tjetër i familjes ?
Banesën e kemi blerë nga i vëllai i Eqerem Çabejit, Feriti, i cili ishte një burrë i mirë dhe zotëri i nderuar ashtu si dhe Çabeji. Ai na tha atëherë, se shtëpia po merrej badjava me këto lekë, pasi në të ardhmen këto objekte thoshte ai, do të peshojnë me flori dhe me sa duket ai kishte të drejtë. Siç dhe e shikoni nga pamja, shtëpia është e rrënuar dhe nuk ka fare besë që ajo të qëndrojë në këmbë, po nuk u mbajt.
A e ka vizituar ndonjëherë shtëpinë Çabeji?
Me sa mbaj mend unë, ai ka ardhur dy tri herë në shtëpi kur e kemi pasur ne dhe sugjeronte që të kishim mendjen nga dyshemeja e drunjtë dhe tavani, pasi sipas tij dyshemeja, kulmi dhe fryma e mban gjallë shtëpinë gjirokastrite. Kur vinte këtu shkonte tek oda kryesore, pasi atje kishte kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe siç më thoshte burri im, i visheshin sytë me lot kur qëndronte për disa minuta në këtë dhomë.
Kanë ardhur vizitorë në shtëpinë ku ju banoni?
Shumë veta madje të huaj, të cilët kanë qenë të shoqëruar nga ata vendas. Në të shumtën e rasteve ata kanë qenë të interesuar për t’u njohur me vendin ku kishte lindur Eqerem Çabeji dhe unë ua tregoja dhe ata nxitonin të fotografonin dhomën por çfarë të fotografonin këtë rrëmujë me dërrasa të kalbura dhe dhomë të pabanueshme? Unë u gëzova shumë kur një ditë pashë disa punëtorë të punonin nga ana e parme e shtëpisë dhe thashë më në fund se shtëpia shpëtoi dhe unë bashkë me të. Por kur mora vesh se puna u ndërpre para një muaji u mërzita, por punëtorët para se të largoheshin më thanë se do të vinin përsëri, sepse shteti nuk kishte më lek t’i paguante.  Më vonë mora vesh nga gjitonët se shtëpia nuk kishte përfunduar së rregulluari dhe shumë shpejt do të rivinin sërish punëtorët. Atyre unë u bëja përditë kafe dhe u nxirrja raki, pasi punonin natë e ditë.

Ç’fsheh “Viti Çabej”

- Nga muaji qershor deri në nëntor do të organizohet një tur konferencash shkencore në të gjitha universitetet e vendit.

- Më 10 maj, në Universitetin e Prishtinës, konferencë për veprën e tij.

- Më 19 shtator, konferencë ndërkombëtare shkencore mbi veprën e Çabejit nga ASH.

- 19 shtator, Biblioteka Kombëtare  ekspozitë me botime të Çabej.

- Nga Bashkia e Tiranës mendohet që emri i “Eqerem Çabej’ dhe  busti i tij t’i vendoset një sheshi.

- Botimi i veprave “Etimologjia e Gjuhës Shqipe”, “Eqerem Çabej, jeta dhe vepra”, nga profesor Shaban Demiraj, etj.

- Një dokumentar nga Televizioni Publik Shqiptar që do të transmetohet në ditën që përkon me 100-vjetorin e lindjes se tij.

Historik
Banesa e gjuhëtarit të shquar gjirokastrit Eqerem Çabej, paraqet interes të veçantë për vetë faktin se, në të ndodhen tri data, të cilat tregojnë ndërtimin dhe rehabilitimin që ka pësuar gjatë shekujve të XIX dhe XX. Në gjendjen fillestare ajo ka qenë me dy oborre dhe një ambient ndihmës përballë banesës në oborrin kryesor. Në fillim, banesa e Çabejit ka qenë e variantit me një krah me zhvillim të pabarabartë planimetrik. Në fund të shekullit XIX, banesa ka pësuar një rehabilitim të rëndësishëm që ka konsistuar në shtesën e krahut të majtë. Gjendja e mirë e ndërtuar në fundshekullin e XIX, bën që të shërbejë si një vepër e rëndësishme për zhvillimin e elementëve të ndryshëm arkitektonikë. 

Vizitat e Eqerem Çabejt në shtëpinë ku lindi

Sot banesa e Çabejit ndodhet nën “darën” e ndryshimeve fizike dhe kjo pas akordimit të pjesës së parë të fondeve nga qeveria shqiptare për ta kthyer atë në identitet. Falë një emri të madh që gëzon gjuhëtari i shquar gjirokastrit jashtë kufijve, ka shtyrë delegacione të ndryshme me studiues, kryesisht nga Ballkani si Serbia, Bullgaria, Rumania dhe Greqia, të shikojnë nga afër vendin se ku ka lindur Çabeji i madh. Banesa e Çabejit ndodhet në lagjen e vjetër gjirokastrite të quajtur “Mecite”, ku askush deri më sot, nuk i ka dhënë shpjegim këtij emri sa të huaj aq edhe të njohur nga shqiptimi i përditshëm i banorëve të saj për dhjetëra vjet. Ajo shtrihet në pjesën lindore të lagjes rreth 30 metra në veri të rrugës dhe vendit, ku ndodhet pllakate që njeh vizitorët me vrasjen e famshme të bimbashit të Gjirokastrës në 1908 nga trimat e Çerçizit.  
* * *
Ndërkohë që të shqetësuar për ekzistencën fizike të banesës krenare të lagjes “Mecite” janë edhe banorët aty pranë ku veçohet Pandeli Zhapa. Banesa e tij ndodhet pothuajse ngjitur me atë të Çabejit. Sipas tij, shteti duhet të vejë dorë për mbajtjen gjallë jo vetëm të kësaj banese, por edhe të tjerave që ka sot qyteti i Gjirokastrës. Ai kujton se në vitet ’60 dhe ’70 kur ka shpeshtuar vizitat e tij, Eqerem Çabej në vitet e fundit të jetës, kujdesej dhe interesohej vetë për shtëpinë e tij të lindjes, ndonëse e pati shitur në fund të viteve ’50 vëllai i tij Ferit Çabej. Megjithatë qeveritë e atëhershme, shprehet një e moshuar, komshie e banesës së Çabejit, kanë kontribuar që kjo shtëpi të qëndronte në këmbë duke eliminuar mundësinë e shkatërrimit.
* * *
Përgjatë 20 viteve të fundit, shteti nuk kishte vënë dorë aspak në këtë objekt, i cili për nga ndërtimi është tipik vendas. U desh të shpallej “Viti Çabej” në 100 vjetorin e tij të lindjes, që objekti trekatësh të përfitonte një sasi të hollash prej 23 milionë lekësh të vjetër, për t’u rehabilituar në mënyrë permanente. Për drejtorin e Monumenteve të Kulturës së Gjirokastrës Spartak Drasa, qeveria shqiptare banesën e Çabejit dhe të tjera që janë të kategorisë së dytë, po u kushton një rëndësi të veçantë, pasi këto objekte mbajnë gjallë vlerat e vërteta të Gjirokastrës. Aktualisht, punimet janë ndërprerë pas përfundimit të fazës së parë ndërhyrëse në të, pasi banesa e Çabejit, është klasifikuar në listën e objekteve që do të rehabilitohen nga fondi prej 1.2 milionë dollarësh amerikanë që do të menaxhohen nga organizmi më i lartë i trashëgimisë kulturore botërore UNESCO. Aktualisht, çekiçët kanë pushuar për pak kohë në këtë ndërtesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›