E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni sulmon, Mou luan vetëm në mbrojtje

Deklarata Vetëm pak orë përpara finales, Van Gal evidenton ndryshimet nga kolegu zikaltër

Luis van Gal shfaq respekt maksimal për rivalët e Interit, por edhe shumë besim te skuadra e tij. Ashtu si ndodh shpesh në finalet e këtyre niveleve, për supersfidën e sotme në “Santiago Bernabeu”, ku “nxënësi” Murinjo do të kërkojë të mposhtë mësuesin, nuk ka favoritë. Në fund të viteve ‘90 kur holandezi drejtonte Barcelonën, portugezi ishte pjesë e stafit teknik të klubit katalan. “Murinjo ka bërë shumë për Interin, e ka shndërruar në një skuadër fituese”, nënvijëzoi trajneri i Bajernit të Mynihut, pa u shfaqur aspak i tensionuar në konferencën për shtyp. “Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi ata janë kundërshtarë të fortë. Këtë fakt e kuptuan edhe çelsi dhe Barcelona, dy ekipe të nivelit të lartë. Zhoze konfirmoi se është një trajner i aftë për të fituar. Megjithatë, nuk mund të jap gjykime për metodat që përdor, por vetëm të vlerësoj frytet e punës së tij. Jemi të ngjashëm në përgatitjen psikologjike të ndeshjes, por nuk mund të them se çfarë ka marrë prej meje: këtë pyetje duhet t’ia bëni atij. A do t’i përshtatej ai Realit të Madridit? Nuk mund të flas për këtë temë, sepse nuk dua të ndikoj në vendimet e Murinjos”.

Edhe pse ka pranuar se Murinjo është “trajneri më i mirë i brezit të tij”, Van Gal evidenton ndryshimet nga kolegu. “Loja e skuadrave të mia projektohet gjithmonë në fazën sulmuese. Unë luaj për publikun, filozofia ime është që t’i fitoj ndeshjet në gjysmëfushën e ekipit kundërshtar. Gjithmonë synoj të ndërtoj një skuadër e cila i pëlqen futbollit, pohoi holandezi. Në anën tjetër, Murinjo luan më tepër në mbrojtje, por gjithsesi ka lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Interi ka elementë të aftë që të sulmojnë, por përdor një stil të caktuar loje. E kam për nder që kthehem në Spanjë, në një stadium të mrekullueshëm siç është ‘Bernabeu’. Cilësia e territ të lojës ka shumë rëndësi dhe në këtë impiant ajo është e shkëlqyer. Vij në këtë finale krenar për skuadrën time. Kemi qenë pak me fat, por tashmë që do të luajmë këtë ndeshje, mund ta fitojmë Champions League”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›