Bajerni sulmon UEFA-n: Ka shumë italianë
Mungojnë vetëm dy javë nga finalja e Champions League kundër Interit (më 22 maj në Madrid) dhe Bajerni i Mynihut ngre zërin për një prej çështjeve që e prek drejtpërdrejtë: pezullimi i Frenk Riberi, i cili nuk do të luajë në “Santiago Bernabeu”. Uli Hënes, ish-ylli i skuadrës dhe aktualisht në postin e presidentit të këshillit mbikëqyrës së klubit bavarez, ka ndërmarrë një sulm frontal ndaj UEFA-s. Ai e ka akuzuar federatën europiane se i është nënshtruar ndikimit italian, pas vendimit të Komisionit të Apelit për të lënë në fuqi pezullimin me tri ndeshje të mesfushorit francez. Riberi u ndëshkua me karton të kuq direkt nga gjyqtari Roberto Roseti në gjysmëfinalen e parë kundër Lionit, pas një faulli ndaj Lisandro Lopez. Ndërhyrja e yllit të Bajernit u cilësua si e rrezikshme për shëndetin e kundërshtarit dhe Disiplinori nuk e kurseu 27-vjeçarin, i cili nuk do të aktivizohet në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. “Te UEFA punojnë shumë italianë, të cilët kanë interesa të caktuara. Gjyqtari, i cili ndëshkoi Frenkun, ishte italian, ashtu sikurse edhe shumë persona të tjerë, të cilët kanë poste të rëndësishme. Për më tepër, në këtë institucion punon vetëm një gjerman”, deklaroi Hënes. “Në një situatë të tillë, mund të them se nuk kemi asnjë mbështetje morale”. Pas vendimit të Apelit, për të lënë në fuqi ndëshkimin për Riberi, Bajerni ka vendosur të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS), me qëllimin që pezullimi të ulet. “Mendoj se kemi shanse të mira të gjejmë të drejtën tonë në këtë institucion”, përfundoi Hënes.
#