Bajerni tërhiqet nga gara për Bosingua
Për më shumë se një muaj, Bajerni i Mynihut ka ndjekur me vëmendje situatën rreth Hoze Bosinguas, por tashmë gjermanët pohuan se nuk do ta blejnë mbrojtësin e krahut të djathtë. "Merkato jonë nuk ka përfunduar, pasi kontingjenti duhet përforcuar me një mbrojtës të djathtë. Gjithsesi, Bosingua nuk është më në listën e kandidatëve për t‘u afruar", deklaroi Karl Hainc Rumenige për "Bild". "Kërkuam ta blinim gjatë verës, por Çelsi nuk kishte ndërmend të privohej prej tij". Tërheqja e bavarezëve nga gara për Bosinguan, mund të nënkuptojë se ata mund të përqendrohen te mbrojtësi i Shalkes, Rafinja. Braziliani shihet prej kohësh si një përforcim i mundshëm i skuadrës së drejtuar nga Luis Van Gal. Në listën e kandidatëve është edhe Darijo Srna, i Shaktjor Donjeckut.