E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajko: “Ndeshja me Maltën lë vend për dyshime”

Ish-trajneri i Kombëtares: “Ky është një futboll mashtrues dhe hipokrit”. “Në futbollin shqiptar nuk po punohet me një sistem dhe strategji të qartë”

Andi Nuraj

Ish-trajneri i Kombëtares, Neptun Bajko (15 ndeshje me përfaqësuesen), iu bashkua korit të kritikëve në lidhje me paraqitjen e varfër të Shqipërisë kundër modestëve të Maltës. Ish-trajneri i njohur i Partizanit, gjatë një interviste të gjatë dhënë televizionit prestigjioz “Vizion Plus”, u shpreh: “Jam munduar, tha Bajko, që në takimet që luan ekipi përfaqësues të shoh aspektet e mira të skuadrës, dhe po ashtu dhe drejtimin profesional të stafit drejtues e në veçanti të trajnerit. Me gjithë mundësinë që me jepet për t’u treguar solidar me ekipin përfaqësues, dua të theksoj se ka qenë një nga ndeshjet më të dobëta të Kombëtares në të gjitha aspektet, duke përfshirë anën profesionale e fokusin tekniko-taktik”, -theksoi Bajko, i cili dha dorëheqjen pas një humbjeje 0-3 me Portugalinë në “Qemal Stafa”, një takim që më pas ka qenë në qendër të medias si një ndeshje me rezultat të trukuar. “Ekipi manifestoi mjaft dobësi. Por ajo që është më e rëndësishmja dhe më thelbësorja ka të bëjë me moralin dhe aspektin profesional të një ekipi përfaqësues. Në ndeshjen me Maltën nuk shpalosi asgjë pozitive”, - tha Bajko, i pari trajner i përfaqësueses shqiptare që është ndeshur me Maltën, një miqësore e humbur 2-1 në gusht të vitit 1995. Barazimi me Maltën la një shije të hidhur dyshuese në ambientin futbolldashës shqiptar. “Mendoj se të vërtetat e paverifikueshme nuk më takojnë dhe nuk dëshiroj t’i hyj një analize të tillë, por të drejtën e kam. Kanë gabuar në të gjitha aspektet. Aq më tepër që ekipi Kombëtar krijoi një iluzion të rremë, mashtrues e zhgënjyes në të njëjtën kohë. Kjo e dëmton shumë imazhin e futbollit dhe të përfaqësueses”, - tha Bajko, i cili njihet gjerësisht për opinionin e tij kritik.
“Trajneri (Han) mund të tregohet i kënaqur me një barazim, por ky barazim, sipas meje, nuk ka asnjë vlerë, pasi tregoi dhe anën tjetër të medaljes në futbollin shqiptar. Nuk po punohet me një sistem dhe strategji të qartë. Nuk po veprohet e drejtohet në mënyrë profesionale. Gjë që më jep të drejtën edhe të dyshoj”, - tha Bajko, i cili ka fituar 2 nga 11 ndeshjet zyrtare në drejtimin e Shqipërisë (2 barazime, 7 humbje). Bajko foli dhe për trajnerët e huaj që kanë drejtuar Shqipërinë në 7 vitet e fundit. “Mua më duket se me përzgjedhjen e një trajneri italian (Dosena), gjerman (Brigel), kroat (Bariç) apo holandez (Han), presidenti Duka mund të ketë menduar se do t’i shtojë vlerat dhe njohjen futbollit tonë. Unë mendoj se pikërisht këtu kanë qenë dhe gabimet e tij më të mëdha. Ose diçka tjetër fshihet me marrjen dhe vendosjen në bankinë të këtyre trajnerëve pranë këtij ekipi përfaqësues. Të mos harrojmë se ky ekip kushton tani miliona euro apo dollarë dhe nuk ka të bëjë më me kohën e mëparshme, kur ekipi përfaqësues ishte më të vërtetë në vështirësi dhe nuk paraqitej ashtu si duhet, por në vlerat kombëtare kanë dhënë më të mirën. Kanë bërë lojë të ndershme, kanë dhënë maksimumin. Intervistat e dhëna para ndeshjes, duke e krahasuar me rezultatin që u mor, kanë krijuar një klimë zhgënjyese në ambientin futbolldashës. Unë them se ky është një futboll mashtrues e hipokrit dhe s’ka të bëjë fare me vlerat e futbollit shqiptar”.
Bajko, një analist i njohur i futbollit shqiptar, foli edhe për gabimet e bëra nga trajneri Han gjatë ndeshjes, përfshirë edhe euforinë. “Mendoj se para së gjithash ekipi kombëtar nuk kishte moral për ta fituar ndeshjen. Nuk luajti me fytyrë të hapur për fitimin e lojës, por aty ishte një lloj truku, që në përfundim të ndeshjes u bë i qartë për të gjithë. Këtë le ta zbërthejnë vetë ata. Por, përderisa mungojnë analizat dhe ekipi kombëtar nuk përfshihet në një bashkëpunim me specialistët, atëherë aty mbetet një diktaturë futbollistike që nuk i shërben askujt”, - përfundoi intervistën e tij për Vizion Plusin ish-trajneri i Kombëtares, Neptun Bajko.

SKEDA E NEPTUN BAJKOS
Periudha: 07.09.1994-09.10.1996
Ndeshje zyrtare: 11, 2F, 2B, 7H
Në total: 15, 3F, 3B, 9H

Demollari: “Malta, një ndeshje e turpshme”

Sulejman Demollari, trajneri i fundit shqiptar që ka drejtuar Kombëtaren (01.09.2001-17.04.2002) përpara se ajo të merrej në dorëzim nga italiani Xhuzepe Dosena, u shpreh shumë kritik ndaj performancës zhgënjyese të përfaqësueses sonë në barazimin pa gol ndaj Maltës. Ish-kapiteni legjendar i Dinamos dhe ekipit kombëtar, gjatë një interviste për televizionin “Top Channel”, pohoi se gabimi kryesor bie mbi teknikun holandez Ari Han. “Ishte me të vërtetë një ndeshje e turpshme. Sidomos pjesa e dytë. Ne gjithmonë e kemi pësuar nga këto ndeshje, të quajtura të vogla. Këtu qëndron edhe roli i motivimit të trajnerit. Ana psikologjike që duhet të punoj ai, gjë që nuk u pa gjatë gjithë kohës”, - theksoi Demollari, i cili drejtoi skuadrën kombëtare në nëntë ndeshje miqësore (1 fitore, 3 barazime, 5 humbje). “Trajneri Han duhet të njohë ekipin apo të ketë informacionet e duhura për çdo kandidat për ekipin Kombëtar, për gjendjen e tyre optimale a aktuale”, - përfundoi Demollari, i cili ka drejtuar Shqipërinë se bashku me Mirel Josën.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›