Rubens Shima: “Ju rrëfej transformimin e Galerisë Kombëtare”
Petrika GROSI
Në një intervistë të dhënë dje për gazetën “Albania”, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, tregon për zhvillimet më të fundit dhe transformimin e këtij institucioni në një Muze Kombëtar të Artit Pamor. Ai jep detaje mbi mënyrën e rikonceptimit dhe të funksionimit të ri të institucionit kryesor shqiptar të arteve figurative. Mes risive është adresimi i fondeve, 80 për qind e të cilave nuk do të shkojnë më për hapjen e ekspozitave, por do të investohen për nevojat e muzeut. Pra, politika e re që do të ndiqet këtej e tutje, sipas drejtorit Shima, është hapja e më pak ekspozitave të artistëve të ndryshëm në këtë institucion dhe krijimi i pavijoneve të përhershme me veprat e shquara dhe autorët më të spikatur të historisë së artit qoftë në pikturë, ashtu edhe në skulpturë. Sa i përket ndarjes, sipas Shimës nuk do të ketë politizime por gjithçka do të ngrihet sipas koncepteve të muzeve modernë kudo në botë. Për më tepër, drejtori i GKA-së flet në intervistën që vijon.
Cila është panorama e këtij viti në Galerinë Kombëtare të Arteve përsa i përket organizimit të projekteve dhe ekspozitave?
Kësaj radhe, projektet e GKA-së nuk do të realizohen siç ka ndodhur zakonisht, kur jemi mësuar të shohim që Galeria Kombëtare zhvillon ekspozita herë pas here. Ka ndodhur një ndryshim, i cili finalizohet në fundin e marsit apo fillimin e prillit. E kam fjalën për kthimin në një muze. Ky kthim nuk është një projekt, por vetë qëllimi i krijimit dhe ekzistencës së GKA-së, e cila objektet e ndodhura në të nuk po i ekspozonte, nuk i promovonte, pra nuk ishte një institucion që komunikonte me publikun, por funksiononte si një qendër e thjeshtë arti ku hapen dhe mbyllen ekspozita. Jo se tani ekspozita nuk do të zhvillohen, por në rast se më parë 80 për qind e fondeve të Galerisë Kombëtare shfrytëzoheshin për ekspozita, tashmë 80 për qind e fondeve të këtij institucioni do të investohen vetëm e vetëm te muzeu. Pjesa e mbetur do të jetë për ekspozita të autorëve, të cilat kanë parametra profesionalë, pra, aktivitete të denja për një Galeri Kombëtare.
Sa salla do të jenë funksionale për ekspozita?
Nuk është problemi te ndryshimi i sallave. Edhe një sallë e vogël që ka qenë, do të jetë në funksion të linjës muzeale. Galeria Kombëtare ka një fond prej rreth 4500 veprash, të ndara në pikturë, skulpturë etj. Kjo infrastrukturë që ka GKA-ja dhe këto salla sërish janë të pamjaftueshme për të ekspozuar të gjithë fondin. Meqenëse nuk kemi mundësi t’i ekspozojmë të gjitha, do të krijojmë ato që do të jenë linja të përhershme dhe të përkohshme. Ende sot shumë prej nesh nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në historinë e artit shqiptar këta 100 vjet. Kjo është puna që do të bëjë ky muze. Kam përshtypjen se shqiptarët nuk dinë të ndërtojnë një muze që për bazë të ketë qasjen didaktike.
Besoni se do të ndesheni edhe ju me problemin e rishikimit dhe të rivlerësimit të historisë së artit, autorëve, ndarjes së tyre dhe vlerave, njësoj siç ka ndodhur me historiografinë dhe letërsinë?
Kjo gjë ka ndodhur, por historia e Shqipërisë me historinë e artit shqiptar janë dy gjëra të kundërta. Ajo që dua të them është se një muze, nëpërmjet pikturës ose skulpturës nuk duam dhe nuk mund ta shpjegojë apo ndërtojë as historinë e Shqipërisë dhe as atë të PPSH-së... Ndonëse këtu historia e artit është parë deri vonë si histori e Shqipërisë apo e një sistemi, ne nuk duam ta shpjegojmë si të tillë. Është e vërtetë që arti ka periudha të caktuara gjatë të cilave është ndikuar në mënyra të ndryshme nga faktorë të kohës. Ka periudha të ndryshme që janë evidente brenda artit shqiptar, ku dallohen edhe elementët kryesorë që ndihen në të. Kur përmendim fundin e shek. XIX, fillimin e shek. XX, arti shqiptar është i përzier ndërmjet një amatorizmi dhe profesionizmi, bashkë me nota të theksuara romanticizmi për të kaluar në një periudhë të dytë që ka një qasje më realiste. Një grup autorësh të kohës u çuan nga monarkia për të studiuar në Perëndim dhe erdhën këtu me këto lloj prirjesh ndaj dhe arti merr prirje realiste. Më vonë kalojmë te vitet ’50, gjatë të cilave ka një lloj realizmi shoqëror për t’ia lënë vendin realizmit socialist. Këto janë periudhat që duhen shpjeguar qartë nga muzeu për vizitorin e tij dhe mbarë publikun. Koleksionet e tjera, të cilat për pamundësi hapësirash nuk mund t’i ekspozojmë, është menduar që të ekspozohen në sallat e tjera në formë ciklike, çdo tre muaj. Në këtë mënyrë, publiku do të ketë mundësi të njihet me të gjitha veprat që ka në fond GKA-ja. Këto janë disa nga politikat tona të reja.
Cilat janë kriteret mbi të cilat do të caktohet vendi i autorëve dhe i veprave të tyre?
Periudhat kanë emra, gjurmë dhe data.
Problemi është se nëse do të përdorej si kriter rryma e pikturave, dihet që Shqipëria në këtë drejtim ka qenë e vonuar, për të mos thënë tepër mbrapa nga zhvillimet bashkëkohëse në Europë. Pra, nuk do të ishim të saktë. Mos do të përdoret periudha gjatë së cilës kanë jetuar autorët?
Kjo hyn në specifikat e Shqipërisë. Nuk ka rëndësi nëse periudha e rrymave në Shqipëri nuk përkon me atë në Francë. Nuk them që nëse romanticizmi ka hyrë në Shqipëri 100 vjet pasi hyri në Francë, ne ta bëjmë atë sikur hyri pas 40 vitesh. Gjithsesi, elementet, prirjet, detajet europiane, pak a shumë gjenden edhe në punët e piktorëve shqiptarë, qoftë edhe si ngacmime apo tendenca. Këtu nuk është zhvilluar asnjëherë një rrymë artistike që të përkojë me një periudhë të rëndësishme historike siç ka ndodhur në Europë. Edhe realizmi socialist u mor dhe u aplikua i gatshëm nga kampi i Europës Lindore. Të njëjtën gjë mund të them edhe për atë që quhet periudha e modernizmit shqiptar, vitet ’69 – ’73. Kuptohet që as këtu nuk kemi të bëjmë me modernizëm të mirëfilltë, por me elementë apo prirje të tij. Modernizmi nuk shfaqet në përmbajtje, por vetëm në formë, sepse në stilistikë gjen ideologjinë e realizmit socialist. Pra, pati një moment që u kërkua një paraqitje stilistikisht më ndryshe dhe këto janë dhe shfaqjet e para drejt modernizmit. Modernizmi i mirëfilltë në Shqipëri filloi të shfaqej rreth viteve ’90.
Sipas gjykimit tuaj, cila është periudha më interesante që do të zërë dhe vendin më të gjerë në Galerinë Kombëtare të Arteve?
Muzeun unë e konsideroj më tepër si një udhëtim në historinë e artit shqiptar. Periudha që ka zgjatur më shumë në shekullin e kaluar ishte realizmi socialist, që rrjedhimisht do të zërë një vend më të gjerë pasi nuk e mohojmë dot krijimtarinë dhe historinë e artit shqiptar në atë kohë.
13 Shkurt 2009