Në perandorinë e 19-vjeçares Greta Koçi
Ermira Shpetimi
Ka bërë një pushim më të gjatë se zakonisht, duke preferuar një tërheqje mediatike disa mujore. Por është rikthyer fuqishëm dhe na ka rrëfyer se çfarë ka bërë gati një vit që nuk ka dalë në media. Dhe në fakt ka shumë për të na thënë dhe mbi të gjitha zhvillime që as nuk mund t’i merrnim me mend. Duke qenë një këngëtare në moshë te re dhe me eksperiencë disa vjeçare njëkohësisht, me siguri mund të mendonim se të rejat e Gretës kanë të bëjnë me një këngë të re, një klip, një ndryshim në look dhe kaq. Në fakt të gjitha këto ekzistojnë, por ka edhe më. Gjatë karrierës së saj si këngëtare e cila startoi diku në moshën 13-vjeçare, Greta Koçi ka kuptuar se në muzikë mund të bëjë më shumë sesa të këndojë materialet muzikore që të tjerët ia bënin gati. Ajo ka zbuluar hap pas hapi se vijën muzikore të këngëve të saj mund ta krijojë vetë. Kjo ka qenë arsyeja që ajo ka ndërtuar gjatë muajve të fundit studion e saj muzikore ku krijon muzikë për veten por edhe për motrën e saj Enin e cila ka një vit që është lançuar si këngëtare duke ndjekur gjurmët e të motrës. Duket se ajo studio muzikore është kthyer tashmë në parajsën e Gretës, në vendin që siç thotë edhe ajo vetë, hyn dhe nuk dihet se kur del. Me një palë kufje në vesh, ajo humb nocionin e kohës dhe zhytet në perandorinë e saj, në muzikë. Dhe rezultatet kanë mbërritur menjëherë. Kënga e fundit e Gretës është kompozuar prej vetë asaj. Ka preferuar një tekst në anglisht me titull “Get this” dhe mbasi ka kopsitur sipas shijes së saj materialin muzikor me gjithë orkestrimin e nevojshëm, ka kaluar menjëherë në realizimin e klipit me “Maks Production”. Klipi do të lançohet gjatë këtyre ditëve në kanalet muzikore. Kështu Greta bën një rikthim të fuqishëm në kanalet muzikore, ku përveç këngës, surprizat e tjera janë po aq interesante. Thuhet që në klip është menduar që të ketë disa skena spektakolare jashtë normales, si psh djegia e një makine. Për këtë arsye Greta ka blerë një makinë dhe e ka djegur gjatë xhirimeve të klipit. Duke qenë një muzikë house dhe shumë ritmike, ajo ka menduar edhe për pamjen e cila do të jetë gjithashtu një spektakël më vete. Përgatituni të shikoni një Gretë të tjetërsuar, me flokë të shkurtra të zeza, me linja fantastike dhe shumë shumë seksi. Greta premton se kënga do të jetë një nga hitet e verës ndërkohë që ka akoma shumë plane në kokë për t’i realizuar.
Refuzon Amerikën
Ka dhënë koncertet e para në Amerikë për Krishtindjet dhe Vitin e Ri që lamë pas. Por nëse këngëtaret e tjera ndjekin axhendën sipas kontratës, duke bërë një punë rutinë si kudo, me Gretën nuk ka ndodhur kështu. Ajo ka pasur disa propozime konkrete dhe joshëse për të qëndruar në Amerikë dhe për ta provuar suksesin atje, në tokën e premtuar. Ka qenë balerini me origjinë shqiptare Aris Golemi, i cili i ka propozuar asaj një kontratë gjashtë mujore gjatë të cilës Greta do të bënte një këngë në anglisht dhe më pas do të përgatiste një numër koreografik e ndihmuar nga Aris, për t’ia prezantuar pesë shtëpive diskografike shumë të famshme në Amerikë. Greta nuk pranoi por iu sugjeroi që ata të krijonin një ide mbi aftësitë e saj duke parë materialet muzikore të mëparshme edhe pse ato ishin në shqip. Ditët e fundit ajo iu ka dërguar atyre këngën e fundit “Get this”, e cila është pëlqyer shumë.
Një tjetër impenjim i këngëtares është edhe universiteti, pasi Greta është në vit të parë për Shkenca Politike dhe dëshiron që shkollës t’i përkushtohet seriozisht, paçka se mendon se gjithë jetën muzika do të jetë gjëja parësore që ajo do bëjë, pasi është e lindur për të bërë këngëtaren, ndërkohë që tashmë ka zbuluar se mund të bëjë edhe kompozitoren.
E para këngëtare që ndalon piraterinë
Ne që nuk kemi të bëjmë me muzikën as nuk mund ta imagjiojmë se çfarë lufte bëjnë këngëtaret që të mos iu vidhet puna dhe djersa e tyre. Ata me të drejtë pretendojnë që të paguhen për atë punën njësoj si gjithë kolegët e tyre në botë. Deri tani, kjo dukej si një betejë e humbur për këngëtaret shqiptarë por Greta ia ka dalë. Si fillim këngëtarja ka bërë një gjyq për vjedhjen e gjashtë këngëve dhe pasi ka fituar gjyqin dhe shumën prej 250 mijë eurove, ka arritur që të bëjë marrëveshje me kompaninë e famshme të internetit You tube që të mos lejojë që asnjë këngë e saj të shkarkohet aty falas. Dhe sot po të klikoni emrin Greta Koçi në youtube, do të shihni që kënga transmetohet vetëm 20 sekonda dhe më pas jepet adresa ku ajo mund të blihet. Kështu këngëtarja ka arritur të fitojë një betejë të paimagjinueshe, atë me piraterinë duke u bërë një shembull edhe për këngëtarët e tjerë, të cilët patjetër kanë kuptuar se po të luftosh, një ditë mund ta fitosh të drejtën tënde.
Një axhendë super e ngjeshur vere
Janë plot 51 koncerte të prenotuara rreth një vit më parë për Greta Koçin. Këngëtarja e cila çmohet shumë nga publiku pasi këndon gjithmonë live, do të jetë e pranishme gjatë verës në diskotekat dhe lokalet e mira në bregdet nga veriu në jug. Tashmë ka vite që punon fort në verë dhe pa dyshim ka fituar eksperiencë dhe ka kuptuar se çfarë këngësh preferohen më së shumti përveç repertorit të saj. Gjithashtu këngëtarja tashmë ka blerë të gjithë atrecaturën e nevojshme për koncerte si psh sistemin e ndriçmit, audio etj, duke siguruar një skenë perfekte të cilën ajo e ka personale dhe i garanton cilësi të padiskutueshme në çdo koncert. Gjithashtu Greta ka gjithmonë nga pas një staf të tërë që kujdeset për gjithçka dhe si gjithmonë prindërit e saj të cilët kanë ditur të menaxhojnë si duhet talentin e rrallë të vajzës së tyre. Gjithashtu gjatë verës këngëtarja do të hedhë në treg albumin e tretë të saj.