E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Zgjidhja brenda kuadrit ligjor



Aristir Lumezi

Ekspertët e Komisionit Europian u kthyen në Bruksel pa arritur ndonjë rezultat konkret në lidhje me krizën politike. Në varësi të negociatave dhe rezultatit të tyre, nuk përjashtohet mundësia e një takimi në Bruksel të dy liderëve Rama-Berisha. Gjatë misionit 24-orësh në Tiranë, dërgata e BE-së nuk arriti të "pajtojë" palët e politikës shqiptare që kanë qëndrime të largëta mes tyre. PD dhe PS ndahen në qëndrimin e tyre te fletët e votimit, ndërsa janë dakord për hapjen e materialeve zgjedhore. Nëse demokratët kërkojnë zbatimin e Kodit Elektoral dhe nenit 178 të tij, socialistët këmbëngulin në të drejtën për informim sipas Kushtetutës, ku përfshijnë dhe fletët e votimit. Me këto qëndrime ekspertët e BE-së mbyllën takimet me Ramën e Berishën mbrëmjen e së mërkurës vonë, ndërsa thirrën në një tryezë të përbashkët ekspertët e dy partive për të gjetur modalitet ligjor për pozicionet e liderëve politikë. Delegacioni i Brukselit ka biseduar deri vonë pas mesnate në ambientet e Komisionit Evropian në Tiranë me përfaqësuesit e PS, Vasilika Hysi dhe Damian Gjiknuri, ndërsa nga PD ishin Oerd Bylykbashi, Drejtori i Kabinetit të Kryeministrit Berisha dhe Ivi Kaso, Drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri, përfaqësues të PD-së në KQZ. Pasi ishte njohur me qëndrimet e liderëve politikë të dy partive, delegacioni i BE-së duket se i ka kërkuar ekspertëve të gjejnë pika në legjislacion, që çojnë në arritjen e një qëndrimi të përbashkët që do të kënaqte të dy palët e që do t'i jepte fund krizës politike. Asnjë zgjidhje nuk kanë arritur të gjejnë ekspertët e partive politike, pasi interpretimet e kërkesave të tyre bazoheshin në formulime të ndryshme ligjore.
Ambasadorët
Para largimit nga Tirana, ekspertët e Brukselit takuan dje në zyrat e KE-së në Tiranë disa ambasadorë të vendeve të BE-së në Tiranë, ambasadoren franceze, ambasadorin gjerman, ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, ambasadori austriak, britanik etj. Delegacioni i ekspertëve, i kryesuar nga zëvendësshefja e kabinetit të Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle, Jana Katarina, Loliç Shindelkova, që është njëherazi edhe përfaqësuesja e Komisionerit për Zgjerim, që mbulon edhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, dhe Terkel Petersen, i cili mbulon Shqipërinë në Sekretariatin e Këshillit të BE-së, informuan diplomatët e vendeve kryesore evropiane mbi ecurinë e bisedimeve dhe nivelin e negociatave për zgjidhjen e krizës politike. Sipas delegacionit të Brukselit, ndaj palëve nuk është vendosur asnjë ultimatum, ndërsa zgjidhja duhet të gjendet brenda kuadrit ligjor. Ata e kanë cilësuar kohën e mbetur deri në fund të dyjavorit, të përcaktuar nga personalitet më të larta të Strasburgut, të mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga palët. Delegacioni i BE-së është shprehur se kuadri ligjor nuk lejon rinumërim të fletëve të votimit, ndërsa i ka kërkuar diplomatëve europianë në Tiranë të angazhohen për të punuar dhe ata me palët për një zgjidhje sa më të shpejtë. Gjithashtu, sipas tyre, pritet të ketë një tjetër takim në Bruksel të Ramës e Berishës, ose ndoshta të grupit të negociatorëve për të certifikuar modalitetin ligjor që do të garantojë zgjidhjen e krizës politike në vend. Ekspertët kanë njohur ambasadorët dhe me qëndrimet specifike të kreut socialist, i cili kërkon ruajtjen e fletëve të votimit deri në mbarimin e hetimit parlamentar, gjë që nuk pranohet nga Kryeministri Berisha, i cili kërkon zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor, i cili është hartuar nga socialistët dhe ka marrë dhe konsensusin e demokratëve. Selia rozë dhe ajo blu vazhdojnë të mbajnë në sekret të plotë negociatat mes tyre, të cilat për shkak të qëndrimit të largët që mbajnë, nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret.

Kasoulides: Konsensusi do i hapë rrugë integrimit
Zëvendëspresidenti i Partive Popullore Europiane, Ioannis Kasoulides deklaroi dje se palët duhet të arrijnë konsensusin brenda dy javëve. Në një prononcim për Top Channel, Kasoulides tha se një konsensus i shpejtë do të mënjanojë të gjitha pengesat për procesin e integrimit, si dhe për liberalizimin e vizave. "Kam besim të plotë se Kryeministri i Shqipërisë dhe lideri i opozitës do të arrijnë një përfundim gjatë takimit të ardhshëm në Strasburg. Të gjithë elementët për një zgjidhje të drejtë ndaj të gjitha shqetësimeve janë aty. Përfituesi kryesor do të jetë populli i Shqipërisë. Një konsensus i tillë do t'i hapë rrugën Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE dhe do të mënjanojë të gjitha pengesat për procesin e liberalizimit të vizave", deklaroi Kasoulides.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›