E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bluzat e bardha, vëzhgim pikave të nxehta të infeksionit

Plazhi monitorohet çdo ditë nga infeksionistët

Pronarët e lokaleve kanë lënë që ujërat e zeza të derdhen në det

Drejtoria e Shëndetit Parësor në Durrës ka nisur një sërë verifikimesh si dhe leximin e analizave për kampionë të ofruar nga terreni për të verifikuar nivelin e ndotjes së ujit të detit në zonën turistike. Drejtoresha Lida Boshku deklaroi dje për “standard” se “kemi ngritur një ekip enkas për të vëzhguar në terren dhe më pas për të përcaktuar masat paraprake për të disiplinuar derdhjen e ujërave në det dhe kryesisht në zonën që popullohet në sezonin e verës nga pushues vendës e të huaj”. Boshku, nisur nga të dhënat që i janë ofruar, ka sinjalizuar se situata aktualisht është tejet e rënduar dhe sidomos në vijën bregdetare nga Currilat e deri në Golem. “Në këtë zonë janë ngritur dhjetëra pallate dhe aktivitet për akomodimin sezonal të pushuesve si dhe në ngritjen e lokaleve të shërbimit”, - deklaroi Boshku. Ajo është shprehur se rezultatet e para janë shumë zhgënjyese dhe se do të duhet marrja e masave të menjëhershme për të izoluar fillimisht e më pas për të “certifikuar” pastërtinë nga ngarkesat mikrobiologjike të ujit. “Ngarkesa mikrobiologjike është 2.5 herë më e lartë sesa normat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”. Ajo ka veçuar në hartën e zonave të rriskuara nga infeksioni bakteriologjik pika të kualifikuara të nxehta për sa i përket ndotjes së lartë të ujit të detit, por edhe të ujit të pijshëm. Kampione me ujë janë marrë në pikat më problematike në vijën bregdetare dhe ka rezultuar se ndotja në disa prej tyre kapërcen kufijtë e parashikuar, duke detyruar ngritjen e një ekipi për të konsumuar të gjitha përpjekjet, para se në bregdet të duken pushuesit e parë.

Ja zonat e rrezikshme

Boshku në prononcimin e saj ka saktësuar edhe zonat e rrezikshme. Zonat në Currila, përgjatë shëtitores “Taulantia”, stacioni tek “Iliria” dhe “Teuta”, grykëderdhja tek Përroi i Agait, plazhi i Porto Romanos do të jenë pikat të cilat do të mbahen nën vëzhgim të pandërprerë, pasi aty është vërejtur edhe ndotja në nivelin më të lartë. Shërbimi Parësor në Durrës, nisur nga konkluzionet e analizave të deklaruara për kampionet e ujit në këto pika, ka arritur në konkluzionin se në det derdhen fekale, duke ndotur në nivel shumë të lartë zonën si dhe duke rrezikuar infektimin e pushuesve nga sëmundje deri infektive. Drejtoresha ka pohuar se “streptokoku fekal dhe koliformët janë bakteret që kanë vënë në rrezik frekuentimin e këtyre zonave nga pushues vendës e të huaj. Derdhja e fekaleve në det në Currila, Hidrovor, në rrjedhën e Përroit të Agait madje edhe tek Shkëmbi i Kavajës dhe në Golem ka vite që ngacmon shërbimin e higjienës”. Inspektorët kanë mundur të frenojnë këtë fenomen duke detyruar ndërtuesit e pallateve, hoteleve, restoranteve dhe shërbimeve të tjera publike të ndërtojnë së paku gropa septike, ndërsa shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka dhënë fonde për të shtrirë edhe rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza. Ndonëse në disa pika situata duket se është përmirësuar, kjo ka qenë fare e pamjaftueshme për drejtoreshën e Shërbimit Parësor në Durrës, e cila ka vendosur të penalizojë çdo aktivitet që nuk respekton anën higjienike. Një vit më parë, ndotja në stacionin “Iliria”, “Teuta”, Shkëmbi i Kavajës dhe Currila, të ndotura në saj të stafilokokut është deklaruar në masën 10 herë mbi limitet e lejuara. Është pikërisht kjo zonë e cila është mbipopulluar nga ndërtimet e ndryshme, ndërsa është investuar fare pak për të ndërtuar banjat publike apo për të hapur gropa septike nga bashkia. Pronarët e lokaleve si dhe familjarët në shumë nga këto pika kanë lënë në rrjedhje të lirë ujërat e zeza të derdhen në det, ndërsa nuk është menduar për të shmangur ndotjen e madhe. Boshku ka deklaruar se “do të ketë ndëshkim me gjobë deri në mbyllje të aktivitetit për çdo rast që do të vërehet mosrespektimi i kushteve higjienike”. Brenda muajit qershor kjo drejtori do të ftojë operatorët e rëndësishëm në zonën turistike si dhe pushtetin vendor për të vendosur harmonizimin e veprimeve si dhe për të shpallur edhe nismën e tyre ndëshkuese për rastet e ndotjes së detit. Epidemiologët dhe dermatologët në spitalin e Durrësit kanë pranuar se uji i plazhit është i rënduar nga mikrobe dhe se veç dezinfektimit, duhet të merren masa për të mënjanuar detyrimisht derdhjen në det të fekaleve. Sipas drejtorisë, nisma e tyre ka gjetur përkrahje në Bashkinë e Durrësit, e cila është shprehur e gatshme të vendosë penalitete për të gjitha bizneset që nuk kanë nyje sanitare në bregdet. Fillimisht, është thënë se do të vendosen gjoba nga 10 mijë në 50 mijë lekë dhe në një javë, si edhe mbyllje aktiviteti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›