Bie sasia e karburanteve të importuara
Tregu furnizohet nga tri kompani të huaja dhe një shqiptare
Kompanitë e importit të karburanteve vendase janë orientuar drejt përpunimit të karburantit pontil
Sasia e importuar e karburantit që përpunohet në kalatat e portit të Durrësit, ka shënuar ulje në shifra. Informacioni konfirmohet nga drejtuesit e portit, në një kohë kur vihet re rritja e çmimit të naftës në vend. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, rënia është e ndjeshme. Tregu shqiptar furnizohet nga tri kompani të huaja dhe një kompani shqiptare. Sipas zyrtarëve të Autoritetit Portual Durrës, "kjo situatë regjistrohet për shkak të peripecive që mbart tregu i karburanteve, kryesisht ai i pakicës". Kompanitë e importit të karburanteve që operojnë në vendin tonë janë orientuar drejt përpunimit të karburantit pontil duke regjistruar edhe sasinë më të madhe sesa përpunimi në kalatë. Në muajin e shkuar është futur në tankerët që gjenden në pjesën lindore të portit rreth 14 mijë tonë karburant, sasi kjo më e lartë se në dy muajt e mëparshëm të marrë veçmas. Janë tri kompani të mëdha greke dhe një shqiptare që kanë krijuar “monopolin” e importit të naftës për furnizimin e tregut shqiptar. Ajo që është deklaruar zyrtarisht nga statistikat e Autoritetit Portual në Durrës ka të bëjë me uljen e tonazhit për muajt prill-maj, por edhe qershor, krahasuar me periudhën e një viti më parë. Karburante në kalatë janë përpunuar në shkurt të vitit 2007 afro 10.257, ndërsa në 5 muajt e parë të këtij viti janë futur në tankerë vetëm 14.212 ton. Sipas drejtuesve të portit, "ulja e ndjeshme e sasisë së importuar të karburantit që përpunohet në kalatë lidhet me faktin e koniukturave të tregut". Kompanitë "Global Petroleum", "Mamidoil", "Vroil" dhe një shqiptare, kanë futur më pak karburant në këta pesë muaj sesa vitin e shkuar, duke tentuar mbajtjen më kot në këtë mënyrë nën kontroll çmimin në tregun e pakicës. Nga ana tjetër, thuhet se karburanti që shkarkohet nga anija e futet drejt e në depozitat e mëdha ka më shumë rendiment dhe më pak kosto sesa në rastet kur përpunohet në kalatë. Të ardhurat në këtë rast shtohen edhe për doganën, pasi koha e përpunimit në rastin e parë është shumë më e shkurtër duke liruar kështu hapësirat. Vetëm nga përpunimi i karburantit dogana ka siguruar 10.5 milionë lekë të ardhura. Autoritetet e Shoqërisë Anonime në portin e Durrësit kanë thënë gjithashtu se "këtë vit kanë lëvizur ndjeshëm edhe statistikat lidhur me përpunimin e mallrave me kontejnerë". Në pesë muaj është përpunuar në ngarkim e shkarkim 2730 TEU, ndërkohë që pesëmujori i parë i vitit 2007 ka shënuar vetëm 1300 TEU. Porti i Durrësit ka krijuar sheshin për kontejnerët dhe përpunimi i mallrave në këtë praktikë të re, e cila ka filluar të bëhet parësore, është cilësuar me leverdi të madhe. Nga pohimet e bëra thuhet se shumë shpejt porti i Durrësit do të shndërrohet në "port kontejnerësh" dhe se mesatarisht në vit mund të përpunohen deri në një milion të tillë.
Transferimi i depozitave të karburantit
Depozitat e naftës janë vendosur nga viti 2000 në pjesën lindore të portit. Janë instaluar rreth 20 të tilla të kompanive të karburanteve. Kapaciteti i tyre shkon afërsisht në total në 41 milionë litra karburant. Këto, së shpejti do të lëvizin nga kjo zonë falë interesimit të qeverisë Berisha dhe një investimi serioz, i cili është kryesisht privat për ngritjen e një pontili dhe jo vetëm të tij. Natyrisht në këtë investim me koncesion një ndihmë të madhe do të japin tri nga bankat më të mëdha në vend që kanë nënshkruar marrëveshjen për të lëvruar 10 milionë euro për kompaninë. Kjo kompani ka ndërmarrë përsipër ndërtimin e pontilit dhe shkarkimin e naftës e të gazit në Porto Romano brenda vitit 2009. Investimi total për ndërtimin e portit të ri të karburanteve në Porto Romano arrin në total në 16 milionë euro. Kredia e dhënë nga Banka Amerikane, Emporiki Bank, si dhe Banka e Tiranës do të shlyhet brenda një periudhe 12-vjeçare. Ky investim do të mund të largojë nga porti i Durrësit dhe ai i Lezhës shkarkimin e naftës në pontilin e Porto Romanos. Anijet tanker, që kanë një gjatësi deri në 100-160 metra dhe më një kapacitet deri në 20 mijë tonë, ankorohen pa problem në impiantet detare që do të instalohen në gjirin pranë Porto Romanos. Pas ankorimit, nis dhe shkarkimi i tyre me sistemin e tubacioneve. Këto depozita kanë një kapacitet që shkon deri në 41 mijë metra kub karburante.