E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajram Ibraj - Ferdinand Elezi, takim për akuzat e KLSH

08/02/2005  Pas kritikave të prokurorisë, kryepolici në Durrës po shmang kontaktet me vartësit

DURRËS – Kritikat e organit të akuzës në Durrës, ndaj policisë së kësaj drejtorie, si dhe akuzat konkrete të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për shpërdorimet e bluve në Durrës, ka bërë që kryepolici Bajram Ibraj, të takojë kryeprokurorin e Durrësit, Ferdinand Elezi. Në vizitën e tij në Durrës, Ibraj, ka anashkaluar kontaktet e takimet me vartësit e tij të policisë së këtij qyteti.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram

Ibraj, është takuar dje me kryeprokurorin e Durrësit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, Ibraj ka ngjitur shkallët e këtij institucioni dje paradite dhe bisedimet mësohet se kanë zgjatur rreth një orë.

Vizita e Ibrajt në Durrës, bëhet vetëm pak ditë pas analizës vjetore të prokurorisë së këtij rrethi.

Në këtë analizë, kreu i Prokurorisë, Ferdinand Elezi, krahas deklarimit të rritjes së cilësisë në përpilimin e dosjeve dhe bashkëpunimit shumë të mirë me gjyqësorin, ka lëshuar kritika për policinë, kryesisht për anën profesionale të saj.

Akuzat e prokurorisë mësohet se janë njëra anë që ka shtyrë drejtorin Ibraj të bashkëbisedojë me kryeprokurorin e Durrësit, por mësohet se objekt i këtij takimi ka qenë edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka mundur të zbulojë disa shkelje dhe shpërdorime edhe në policinë e Durrësit.

Vizita e drejtorit Ibraj në Durrës ka tërhequr vëmendjen edhe për faktin se ai pasi ka dalë nga prokuroria, ka marrë takim me drejtuesit e policisë lokale, ndërkohë që ai, sikurse edhe ministri Igli Toska, kishin kohë që nuk kishin vizituar vartësit e tyre në këtë drejtori. Madje, drejtues të policisë lokale, kujtojnë se në analizën vjetore të policisë ra në sy mungesa e krerëve të lartë të policisë, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk qe i panishëm edhe në kohën e emërimeve të reja në poste drejtuese të policisë së Durrësit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›