E Diel, 1 Nëntor 2026

“Burri vdiq nga infarkti, jo nga asfiksia”

08/02/2005  Flet bashkëshortja e naftëtarit të gjetur i vdekur në vendin e punës

FIER - Në një pallat të vjetër pesëkatësh, në katin e parë të tij, në periferi të lagjes ”29 Nëntori”, në Fier, duken qartë dy qepena të mbyllura dhe mbi murin e tyre lajmërimi i vdekjes së naftëtarit fatkeq. Pikërisht kjo është edhe banesa e Bujar Kadiut, ku tashmë jetojnë nëna plakë, gruaja e tij dhe 3 fëmijët të moshës nga 10–16 vjeç.

Me lot në sy nëna e tij plakë, Havaja, tregon se djali i saj ishte me një mori problemesh shëndetësore siç ishte ajo e sëmundjes së zemrës, por megjithatë ai punonte shumë edhe në punë të tjera, me qëllim sigurimin e jetesës së tyre.

”Burri im, babai i Bujarit, thotë ajo, Iljazi, vdiq vjet nga sëmundja e kancerit. Mosha e tij e vjetër ia përkeqësoi shëndetin dhe pa mbushur as një vit më iku edhe djali. Kjo ishte një gjëmë e madhe për ne”.

Veshur me të zeza dhe hidhërimin që nuk e fsheh, Mbaresa, bashkëshortja e Bujarit, një mësuese fshati, në një intervistë për “Metropol”, shpreh dyshime për shkakun e vdekjes. Sipas saj, burri mund të ketë vdekur nga infarkti, jo nga asfiksimi.

Si e morët vesh lajmin e vdekjes së burrit tuaj?

Të dielën në mëngjes, rreth orës 08, më mori në telefon një shok i tij, Xhaferri, e më tha se Bujarin e kishin nisur në spital, pasi ishte sëmurë. Shkuam në spital, unë dhe vajza dhe atje morëm vesh gjëmën.

Sipas asaj që ju thanë, si ka ndodhur?

Bujari kishte ndezur shumë letra në dhomë për t’u ngrohur. Dhoma ka qenë hermetike dhe karboni ka depërtuar në gjak. Por mund t’i ketë rënë edhe infarkt nga të ftohtët. Ai vuante nga sëmundja e zemrës. Kishte pirë dhe raki për t’u ngrohur.

A ju ndihmuan nga Albpetroli?

Mua më iku burri dhe këto janë gjëra të kota që diskutojmë. Ndërmarrja mori përsipër shpenzimet e varrimit dhe na dhanë një milion lekë (të vjetra).

Bujari punonte edhe në punë të tjera?

Me shkëputje roje nate në një privat. Muaj më parë shisnim edhe fruta-zarzavate para shtëpisë. ǒtë bëjmë kemi 3 fëmijë për të rritur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›