Për Realin, Murinjo heq dorë nga 6 milionë euro
Kontratë 3-vjeçare me rrogë 10 milionë euro në sezon. Mediat spanjolle e cilësojnë të përfunduar emërimin e Zhoze Murinjos te stoli i Realit të Madridit. “Marca”, e përditshmja sportive që ka lidhje të forta me klubin “merengue”, nuk ka dyshime rreth transferimit të portugezit në La Liga. Gazeta e kryeqytetit spanjoll ka publikuar edhe shifrat e marrëveshjes: Murinjo do të firmosë për tre vitet e ardhshme, duke përfituar 10 milionë euro në sezon: praktikisht ai ka hequr dorë nga 6 milionë euro, vetëm për të punuar në “Santiago Bernabeu”. Kjo për faktin se aktualisht tek Interi, 47-vjeçari përfiton 12 milionë euro në vit. Meqenëse akordi ndërmjet presidentit Florentino Perez dhe Murinjos cilësohet i arritur, mediat flasin edhe për përforcimet e Realit në merkaton e verës. “Spaciali” i ka këshilluar drejtuesve të “galaktikëve” blerjet e De Rosit, Xherard dhe të mesfushorit të talentuar të Atletik Bilbaos, Havier Martinez. Ky i fundit, edhe pse është vetëm 21 vjeç, u grumbullua nga Del Boske në përfaqësuesen spanjolle për Botërorin 2010. Sipas “As”, palët kanë arritur akordin parimor, ndërsa kjo e Murinjos do të jetë kontrata më afatgjatë në presidencën e Perez. “El Mundo Deportivo” zbuloi se Murinjo ka kërkuar “kontroll absolut dhe pushtet në vendimmarrje”.
#