E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajramaj kthehet shpejt

Lëndimi i Fatmire Bajramajt të dielën ua ka futur frikën gjermanëve. Mirëpo, pas kontrolleve të bëra, mjekët kanë konstatuar se futbollistja kosovare ka një tërheqje muskulore në kofshë, por nuk rrezikon ta humb Kampionatin botëror, i cili mbahet gjatë verës në Gjermani. 22 vjeçarja pritet ta ndihmojë ekipin e saj Potsdam, pas një pauze të shkurtër. Nga Express më 15 shkurt 2011 në ora 12:26

Sezoni i Fatmire Bajramajt nuk është në rrezik, ashtu siç parashihej të dielën, pas lëndimit të saj në ndeshjen kampionale me skuadrën e saj, Turbine Potsdam në Jena.

Mediat gjermane të dielën frikësoheshin se futbollistja kosovare do të mbetej jashtë gjatë tërë sezonit në vazhdim, gjë që do të nënkuptonte se ajo do ta humbiste Kampionatin botëror, i cili gjatë kësaj vere, më saktësisht nga 26 qershori deri më 17 korrik, do të mbahet në Gjermani, për herë të parë.

Pas rezonancës magnetike që e bëri të hënën në Berlin, mjekët e klubit gjerman konstatuan se 22 vjeçarja ka një tërheqje të muskulit mbi gjurin e djathtë, por ajo mund të kthehet në fushën e blertë pas një kohe të shkurtër.

“Futbollistja ka një tërheqje në kofshë. Duhet ta shohim se si do të zhvillohen gjërat në vazhdim. Në bashkëpunim me stafin teknik do ta ndjekim nga afër përparimin e gjendjes së saj dhe reagimin e muskulit”, ka thënë mjeku i klubit, Lenhert.

Pas këtij rezultati, i qetë dukej edhe trajneri i Potsdam, Bernd Schroeder. “Për momentin Lira është e lënduar. Do të jemi mjaft të kujdesshëm dhe nuk do të rrezikojmë aspak, sepse e dimë se është e rëndësishme që ta evitojmë ndonjë përsëritje eventuale të lëndimit para përgatitjeve për Kampionatin botëror”, deklaroi trajneri Schroeder për magazinën Kicker.

“Kur Lira të jetë e gatshme, do të flasim, pasi në këtë fazë punët janë ndryshe. Ne do ta monitorojmë në vazhdimësi gjendjen e saj”, shtoi trajneri i Turbine Potsdam.

Edhe përzgjedhësja e përfaqësueses gjermane, Silvia Neid, shpreson që futbollistja kosovare të kthehet sa më shpejt dhe ta ketë në dispozicion në Botëror.

Bajramaj pritet të kthehet në fushën e blertë pas një periudhe të shkurtër. Ajo do të mund ta ndihmojë ekipin Turbine Potsdam drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Gjermanisë, para se të mendojë për Kampionatin botëror, i cili është objektivi i saj kryesor këtë vit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›