Sytë kah diaspora
Baza e përfaqësueses së Kosovës në basketboll për të ardhmen pritet të ndërtohet kryesish me basketbollistë që luajnë jashtë vendit. Për ta realizuar këtë, drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Habib Ademi, në bashkëpunim me përzgjedhësin Arben Krasniqi e kanë marrë seriozisht punën e ndërtimit të skuadrës.
Ademi dhe Krasniqi tashmë i kanë identifikuar rreth pesëmbëdhjetë basketbollistë, që aktualisht luajnë për skuadra të huaja, të cilët janë kandidatë të mundshëm që ta përfaqësojnë Kosovën pas anëtarësimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në FIBA.
Bëhet fjalë për disa basketbollistë të rinj kosovarë, të cilët premtojnë shumë për të ardhmen. Aktualisht disa nga ta gjenden në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqi dhe në disa shtete tjera të Evropës.
Madje, veç ka nisur procesi i bisedimeve me ta rreth angazhimit të tyre në përfaqësuese.
Sipas Ademit, për fillim punët po ecin mirë në këtë drejtim. Por, për të kryer me sukses këtë nismë, ish basketbollistit të famshëm kosovar dhe trajnerit më të suksesshëm në Kosovë u nevojitet mbështetje e madhe nga FBK-ja.
“Me disa prej tyre veç kemi biseduar, ndërsa edhe me të tjerët do të bisedojmë. Shumica nga ta janë të gatshëm të luajnë për Kosovën. Ka edhe të atillë që kanë oferta prej shteteve tjera dhe ata do ta kemi më problem t’i bindim. Por, duhet të na mbështesë FBK-ja në këtë drejtim dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit”, deklaroi Ademi për Express.
Ai pohoi se me kombinimin e lojtarëve që gjenden në Kosovë dhe atyre që aktualisht gjenden jashtë vendit, selektori Arben Krasniqi do të mund ta krijojë një ekip të fortë, konkurrent të reprezentacioneve të shteteve tjera të rajonit.
“Besoj se do ta ndërtojmë një përfaqësuese të fortë, me gjithë këta basketbollistë kosovarë që aktualisht gjenden jashtë vendit në kombinim edhe me këta që i kemi në Kosovë. Në përfaqësuesen tonë do të inkuadrohen lojtarët më meritorë. Përfaqësuesja jonë do jetë një ekip i mirë, konkurrent i përfaqësueseve tjera të shteteve të rajonit”, theksoi Ademi.
“Kur e kam pranuar postin e drejtorit të përfaqësueses, e kam ditur se më presin shumë sfida. Por, i kam hyrë kësaj pune me seriozitet shumë të madh dhe do ta çoj deri në fund. Disponim të tillë ka edhe Arben Krasniqi. Po punojmë me vullnet të mirë”, pohoi ai.
Ndërkohë, me t’u emëruar selektor i përfaqësueses së Kosovës, Arben Krasniqi, në një intervistë për Express pat thënë se llogarit shumë në shërbimet e basketbollistëve kosovarë që aktualisht gjenden jashtë vendit.
Ai pat theksuar se në eliminatoret e para për Kampionat evropian apo botëror, përfaqësuesja e Kosovës kryesisht do të përbëhet me basketbollistë, të cilët aktualisht gjenden jashtë vendit.
Kosova do ta natyralizojë ndonjë basketbollist
Drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Habib Ademi dhe përzgjedhësi Arben Krasniqi po brengosen për faktin se Kosova ka shumë pak basketbollistë tipikë për pozitën e qendrës.
Andaj, duket se Ademi dhe Krasniqi veç janë pajtuar që në të ardhmen ta natyralizojnë ndonjë lojtar të huaj të kësaj pozite, për ta angazhuar në përfaqësuesen e Kosovës.
“Kemi shumë pak basketbollistë tipikë për pozitën e qendrës. Andaj, sigurisht se do ta natyralizojmë ndonjë basketbollist për këtë pozitë”, ka thënë Ademi.
Basketbollistët që pritet të angazhohen:
Yll Kaçaniku (Turqi), Arian Maliqi (SHBA), Mirza Ahmetbasiq (Bosnje), Burak Haxhismaili (Turqi), Adnan Mustafa (Turqi), Elio Sadiku (Francë), Erjon Kastrati (Slloveni), Gëzim Morina (Slloveni), Korab Imami (SHBA), Elhad Emerllahu (SHBA),
Besnik Bekteshi (Gjermani), Armend Ademi (SHBA), Taulant Murati (Zvicër), Korab Ferizi (Suedi).