Bajrami: Emmy shkëmbeu sms me Kelmendin
Këngëtarja kosovare ka pohuar për policinë se biznesmeni kosovar ndodhej në mjediset e klubit. “Emmy u largua me çantën dhe celularin, pas mesazheve me të”
I vetmi person që ka shoqëruar natën tragjike këngëtaren Emmy, kosovarja Valza Bajrami ka deklaruar në polici se atë natë i dyshuari për vrasjen e saj, Aziz Kelmendi, ka qenë në klubin “Venue” së bashku me të dashurën e tij. Mësohet se Bajrami është shprehur se ka marrë vesh për prezencën e Aziz Kelmendit në “Venue” nga fakti se kishte parë “Emmy”-n që kishte shkëmbyer disa mesazhe telefonike me autorin e dyshuar, ku nëpërmjet këtyre mesazheve ata i kishin bërë të ditur njëri- tjetrit se ndodheshin në të njëjtin ambient. Për shkak të mbipopullimit të klubit, ata nuk janë parë dhe ishin larg njëri-tjetrit, sipas dëshmitares. Megjithatë, Bajrami është shprehur për hetuesit se pas shkëmbimit të sms-ve, “Emmy” ka dalë jashtë për ta takuar Aziz Kelmendin, ndërsa ky i fundit po largohej nga klubi me të dashurën e tij të dytë. Valza Bajrami është shprehur se për rreth 20 minuta apo gjysmë ore Emmy nuk është kthyer dhe ajo më pas e ka telefonuar, ndërsa numri dilte i zënë. Sipas dëshmitares Bajrami, “Emmy” ka dalë nga klubi dhe ka marrë me vete çantën dhe telefonin e saj. Nga ana tjetër mësohet se Aziz Kelmendi, pasi ka shkaktuar vdekjen e Emmy-t, ka shoqëruar të dashurën e tij, është rikthyer në vendin e ngjarjes ku ka gjetur dhe miken e saj Valza Bajrami. Madje, i ka kërkuar asaj që të shkojë në spital dhe të shohë sesi ishte Emmy. Nga dëshmitë e Bajramit në polici, rezulton se pas mbërritjes në spital Bajrami i ka telefonuar Aziz Kelmendit dhe i ka thënë se Emmy ka shpëtuar. H.Hasani