Kelmendi: Aksidenti, s’doja që Emmy të zihej me të dashurën tjetër
Biznesmeni kosovar Aziz Kelmendi tha në gjykatë se nuk donte të vriste Elsina Idershain. “E kisha të dashur prej dy vjetësh dhe shkova në lokal për t’i çuar një kartë kosovare. I dhashë gaz makinës se nuk doja të përplasej me të dashurën paralele”
Tiranë Biznesmeni kosovar Aziz Kelmendi është shfaqur i qetë dje para gjykatës, ku ka dëshmuar versionin e tij rreth vdekjes së këngëtares 21-vjeçare Elsina Idershai. Kelmendi tha se nuk kishte si qëllim të vriste këngëtaren, me të cilën kishte pasur një lidhje dashurore për gati dy vjet, por largimi i tij ka ardhur vetëm për të mos krijuar konflikt mes saj dhe një tjetër vajze, që ndodhej në automjetin e tij. Shfajësimi i biznesmenit është pasuar nga një tjetër kërkesë e avokatit mbrojtës, për një masë sigurimi më të butë, qoftë kjo e shoqëruar me një garanci pasurore. Por gjithçka u refuzua nga Gjykata, e cila vendosi të mbajë në qeli Aziz Kelmendin, i dyshuar për vrasje me dashje të këngëtares Emmy, mëngjesin e 26 shkurtit në Tiranë. Fillimisht përfaqësuesja e akuzës kërkoi nga gjykata masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Kelmendit, i cili para gjykatës u shpreh se nuk ishte i martuar, edhe pse njihte atësinë për tre fëmijë të tij. Sipas akuzës, Aziz Kelmendi akuzohet se rreth orës 02:30 të mëngjesit të datës 26 shkurt ka përplasur me automjetin tip “Tuareg”, duke i shkaktuar vdekjen me dashje këngëtares Elsina Idershai, ngjarje kjo e ndodhur në afërsi të një lokali në rrugën “Sadik Petrela” në kryeqytet. Prokuroria argumentoi se vajza ka tentuar të kapet në automjetin ku ndodhej Kelmendi, i cili sapo ka parë këtë veprim ka shtuar shpejtësinë e makinës, duke ecur për rreth 100 metra dhe më pas ka frenuar fort për ta rrëzuar atë. Nga akti i këqyrjes së kufomës rezulton se përveç plagëve në pjesën e pasme të kokës, viktima ka pasur shenja dhune dhe dëmtime në pjesën e këmbëve, të cilat kanë ardhur si pasojë e shtypjes nga njëra gomë e automjetit “Tuareg”. Këto të dhëna, të siguruara nga dëshmitarët, por edhe nga disa prej ekspertimeve të kryera nga Prokuroria, sipas akuzës janë të mjaftueshme për të kërkuar masën shtrënguese të sigurisë ndaj biznesmenit Kelmendi. Por gjatë mbrojtjes para gjykatës, 47-vjeçari ka treguar një tjetër version të ngjarjes. Sipas tij, disa ditë më parë Emmy, me të cilën ai kishte një lidhje gati 2-vjeçare, i ka telefonuar dhe i ka kërkuar të takoheshin në Tiranë, duke e porositur që t’i sillte edhe një numër telefoni kosovar. Kelmendi tregoi se mbrëmjen e ngjarjes ai ka qenë i shoqëruar nga një vajzë tjetër, me të cilën kishte një tjetër lidhje dashurie paralele. Duke sqaruar këtë moment, edhe për shkak të pyetjeve nga gjykata e përfaqësuesja e akuzës, biznesmeni tha se kishte lidhje paralele me të dyja vajzat, por kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes me këngëtaren. Më pas, Kelmendi tregoi se rreth orës 02:00 i ka telefonuar Emmy-t, duke e pyetur për vendndodhjen me qëllim dorëzimin e kartës së telefonit. “Për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes vajzave, hapa fare pak xhamin e makinës nga krahu i shoferit hapësirë kjo e mjaftueshme për t’i dhënë kartën telefonike” - ka treguar i arrestuari para Gjykatës. Sipas tij, Emmy është afruar te automjeti dhe sapo ka vënë re praninë e një vajze tjetër, ka tentuar të kapet te xhami i hapur, duke arritur të mbahet. Biznesmeni tregoi se pas këtij veprimi ai është larguar ngadalë duke ecur për rreth 100 metra me shpejtësi minimale. “Në një moment nuk e pashë më të kapur te xhami i automjetit dhe u largova për të çuar në shtëpi vajzën që më shoqëronte. Më pas u ktheva sërish te lokali, ku më thanë se Emmy ishte dëmtuar dhe ndodhej në spital” - ka treguar biznesmeni kosovar në gjykatë.
Gjykata, burg pa afat biznesmenit kosovar
Përtej pretendimeve të Aziz Kelmendit se shtypja e Elsina Hadershës nuk ishte e qëllimshme, gjyqtarja Rigleta Panajoti vendosi të caktojë ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Për këtë masë sigurie, gjykata u bazua te kërkesa e Prokurorisë, sipas së cilës biznesmeni kosovar dyshohet për akuzën e vrasjes me dashje, duke refuzuar kështu garancinë pasurore të ofruar nga mbrojtja. Sipas Prokurorisë, Kelmendi e ka frenuar makinën, për t’i dhënë sërish gaz, duke shtypur për vdekje këngëtaren e njohur. Gjatë shpalljes së vendimit, 47-vjeçari i pranishëm në sallë nuk bëri asnjë koment, duke u larguar qetësisht nga salla e gjyqit, por këtë radhë me pranga në duar.