E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhihad i kosovarit? Qëllon mbi ushtarët amerikanë, 2 të vrarë e 2 të plagosur

Arif Uka nga Mitrovica qëllon mbi autobusin e ushtarëve amerikanë të stacionuar në Gjermani. Ende nuk dihet nëse ky është një akt terrorist. Reagojnë presidenti Obama, kancelarja Merkel dhe Qeveria e Kosovës.

Frankfurt - Dy ushtarë amerikanë janë qëlluar për vdekje, ndërsa dy të tjerë janë plagosur rëndë nga një person i armatosur në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani. Autoritetet rajonale nuk përjashtojnë as mundësinë e një lidhjeje terroriste, por asgjë nuk është e qartë. Personi, i cili vrau dy ushtarë dhe plagosi rëndë dy të tjerë, sipas informacioneve, është nga Kosova, tha ministri i Brendshëm i landit Hes, Boris Rein. Incidenti ka ndodhur kur është sulmuar autobusi që transportonte ushtarët amerikanë. Nuk është e qartë nëse sulmi ka ardhur nga brenda autobusit. Vrasja ka ndodhur në terminalin 2 të Aeroportit të Frankfurtit. Zëdhënësja e forcave ajrore amerikane për Europën, majorja Beverli Mok, tha se të katër viktimat, dy të vrarët e dy të plagosurit, u takojnë këtyre njësive. Ajo nuk dha detaje se ku ishin të stacionuara viktimat apo emrat e tyre. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka dënuar sulmin. “Dua që çdokush ta kuptojë se nuk do të lëmë asgjë pa bërë derisa të mësojmë si ndodhi ky akt i tmerrshëm. Do të punojmë me autoritetet gjermane për të siguruar që të gjithë autorët do të dalin para drejtësisë”, tha Obama. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar se policia gjermane e ka identifikuar të dyshuarin si Arif Uka, shtetas i Kosovës nga qyteti i Mitrovicës. "Kjo është një ngjarje dërrmuese dhe tragjike. Po përpiqemi të kuptojmë nëse ishte diçka e organizuar apo çfarë natyre kishte sulmi", tha Rexhepi. Presidenti dhe Qeveria e Kosovës kanë dënuar ashpër vrasjen e dy qytetarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve."Institucionet e Kosovës u shprehin ngushëllimet më të thella popullit amerikan, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtrisë amerikane dhe familjarëve të viktimave", thuhet në komunikatë. "Ky rast makabër është një akt individual kundër vlerave civilizuese dhe kundër traditës së popullit të Kosovës, që gjithmonë dhe përjetësisht do t'u jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe Qeverisë së SHBA-ve, për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë popullit të Kosovës gjatë procesit të lirisë, pavarësisë dhe tani zhvillimit dhe integrimit të Kosovës", thuhet në reagimin e Qeverisë. I dyshuari gjendet në paraburgim. Burimet gjermane raportojnë se sulmuesi është i moshës 21-vjeçare. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dënuar sulmin duke e cilësuar si "ngjarje të tmerrshme". Ajo ka shtuar se vendi i saj do të bëjë “gjithçka që është e mundur” për të hetuar deri në fund sulmin ndaj autobusit të ushtarëve amerikanë. “Dua t’u shpreh ngushëllimet ushtarëve amerikanë, familjeve dhe të afërmve të tyre. Kjo është një tragjedi e tmerrshme dhe Gjermania do të bëjë gjithçka që është e mundur për të gjetur shpejt çfarë ka ndodhur”, tha Merkel. Ushtria amerikane ka një numër bazash në rajonin e Frankfurtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›