Bajrami, kampion edhe në WKN
Xhavit Bajrami është shpallur kampion i botës edhe në versionin WKN, në një mbrëmjen ‘K-1 Fight’, të organizuar nga vëllezërit Xhavit e Tefik Bajrami në Schliren-Zurich.
Xhavit “Gentleman” Bajrami fito me KO (nokaut) kundër polakut shumë të fortë, David Trulka. Meçi ka qenë shumë interesant dhe i fortë, por kick-boksieri kosovar prej fillimit e ka goditur disa herë këmbën e majtë të Trulkas.
Me këtë rast, në fund të rundit të parë, polakun e lëshon nervi i këmbës, por ai e vazhdon meçin. Në rundin e dytë Trulka ishte i rrezikshëm, por ai u dorëzua përfundimisht në fund të këtij rundi, pas goditjeve të njëpasnjëshme të Bajramit, sidomos në këmbë.
Ky ishte rezultat i përgatitjeve të shkëlqyeshme të kick-boksierit kosovar në Holandë, para këtij meçi. Pas këtij triumfi, Xhavit Bajrami bëhet kampion aktual në dy versionet më të mëdha, Iska dhe WKN.