S’priten ndryshime
Futbolli kosovar tani nuk i ka punët keq me trajnerë të shkolluar. Kosova të shtunën është bërë edhe me nëntëmbëdhjetë trajnerë tjerë që janë pajisur me licenca A të UEFA-s, pas një trajnimi një mujor që e mbajtën në Tiranë, të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Por, a do të ndikoj ky fakt në ngritjen e cilësisë në futbollin kosovar, në të cilin veprojnë shumë nga ata trajnerë që u pajisën me licenca. Trajneri i njohur kosovar, që posedon licencën profi të UEFA-s, Gani Sejdiu thotë se kolegët e tij tani kanë mundësi të kontribuojnë më shumë në ngritjen e cilësisë në futbollit e Kosovës.
“Është e vërtetë se trajnerët kanë përgjegjësinë kryesore në ngritjen dhe rënien e cilësisë, sepse roli i tyre është i ndërlidhur direkt me lojën e futbollit. Unë jam i sigurt se kolegëve të mi, që u pajisën me këto licenca, u është pasuruar profesionalisht akoma më shumë bagazhi i tyre”, deklaroi Sejdiu për Express.
Por, trajneri mitrovicas thotë se së pari kolegëve të tij duhet tu ofrohen kushte normale për punë, dhe më pas, rezultatet e tyre nuk do të mungojnë. Sejdiu kujtoi se aktualisht trajnerët në Kosovë nuk kanë kushte as minimale për punë.
“Kolegët e mi e kanë të pamundur që vetëm me profesionalizimin e tyre të ndikojnë në ngritjen e cilësisë. Për ta bërë një gjë të tillë, kolegëve të mi fillimisht duhet tu ofrohen kushte për punë. Ata duhet të motivohen. Nuk mund një trajner të korr suksese, kur lojtarët e tij janë të demoralizuar shkaku i pagave shumë të ulëta, u vonohen pagat, etj”, theksoi Sejdiu.
Edhe ish trajneri mitrovicas, Fahredin Duraku nuk pret që ky fakt të ndikoj fortë në ngritjen e cilësisë së futbollit kosovar.
“Fakti që kolegët e mi janë pajisur me licenca, të shtyn të besosh se cilësia në futbollin tonë do të ngritët. Por, realisht, edhe pse kolegët e mi janë pajisur me këto licenca, unë nuk pres ndonjë ngritje të theksueshme të cilësisë”, thotë ai.
“Ata duhet t’i ndjekin edhe më tej zhvillimet e hovshme që ndodhin vazhdimisht në futbollin modern, sidomos të mësojnë praktikisht e jo vetëm teorikisht. Ata duhet që së paku dy herë në vit, të ndjekin seminare jashtë vendit, në të cilat ligjërojnë trajnerë të njohur që fitojnë tituj nëpër Evropë, si: Carlo Ancelotti, Marcello Lippi, etj”, tha Duraku, i cili po ndjek trajnime për tu pajisur me licencën profi të UEFA-s.
Në anën tjetër, trajneri Muharrem Sahiti, i cili të shtunë është pajisur me licencën A të UEFA-s, thotë se ai me kolegët e tij nuk mund ta rritin cilësinë futbollit shpejt, vetëm pse janë pajisur me këto licenca. Por, ai thotë se ndryshimi pozitiv do të ndodh gradualisht.
“Licenca nuk e bënë trajnerin. Thjesht, licenca është standard, apo leje e punës për trajnerë. Neve na u janë hapur shumë rrugë që morëm këto licenca. Gjatë seminarit ne përforcuam dijen tonë, dhe jemi pajisur me material të mjaftueshëm, të cilin material do ta zbatojmë në praktikë. Ndryshimi pozitiv në futbollin kosovar nuk do të ndodhë menjëherë, por kjo do të bëhet gradualisht”, ka thënë Sahiti.