E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajrami në burg, kontroll tortave

 

BURREL/ HASAN PASHA
Plot 70 nga 200 të dënuar që vuajnë dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë Burrel kanë marrë dhurata nga njerëzit e tyre të afërm me rastin e festës së Kurban Bajramit.
 Familjarët e tyre udhëtuan nga qytete të ndryshme të vendit për t’u dërguar gjithçka të afërmve të izoluar në këtë burg. Takimet 30 minutëshe kanë nisur në orët e para të mëngjesit për të vijuar deri në orët e pasdites, ndërkohë radha nga jashtë kangjellave të burgut mbahej nga vetë “mysafirët”. “Është hera e parë që ka kaq shumë njerëz, të cilët kërkojnë të takohen me njerëzit e tyre në këtë burg”, tha njëri nga gardianët e burgut. Ai shtoi se ndryshe nga herët e tjera ata kanë sjellë lloj-lloj ushqimesh, frutash, pijesh freskuese, etj.
Jo vetëm fluksi i madh i personave që kanë kërkuar takime, por edhe larmia e produkteve që adresohej për të dënuarit ka rritur masat e sigurisë. Nuk kanë mjaftuar kamerat e sigurisë, të vendosura në të gjitha drejtimet, por janë shtuar efektivat që kanë shtuar kontrollet. Madje, që në mëngjes ishte parandier ky fluks, ndaj zyrtarët e burgut kanë porositur efektivat e sigurisë të jenë shumë të vëmendshëm dhe të kontrollojnë me imtësi gjithçka, duke evituar futjen në burg të sendeve të ndaluara me ligj. “Drejtuesit e burgut vunë re se shumë nga familjarët e të dënuarve kishin sjellë për të burgosurit torta. Kjo i bëri ata të dyshojnë se brenda tyre mund të fshihen sende të ndaluara, madje edhe armë zjarri. Frika se familjarët mund të tentojnë të dërgojnë në qeli armë, celularë, thika, apo  sende të tjera bëri që gardianët të kontrollojnë ëmbëlsirat duke i prerë kryq e tërthorë me thikë, duke evituar kështu çdo mundësi abuzimi”, sqaruan punonjës të sigurisë së Burgut të Burrelit, dy ditët e fundit thonë se kanë pasur punë sa për 1 muaj rresht. Zyrtarisht, ndonëse dje ishte ditë pushimi për të gjitha institucionet e vendit, përjashtim ka bërë burgu i Burrelit. Autoritetet e tij bënë të ditur dje se, nëse e enjtja ishte dita e takimeve për të burgosurit që kanë familjarët nga rrethet, e premtja ishte caktuar për ata që jetojnë në Mat. “Nuk bëmë pushim as ditën e fetës së Kurban Bajramit, - thanë zyrtarë të burgut. - Do t’u vijmë në ndihmë familjarëve matjanë që kanë të dënuar në këtë burg. Numri i tyre është i lartë dhe ne do të bëjmë të pamundurën, që gjithkujt që dëshiron të takojë të dënuarit apo të sjellë sende të lejuara për ta, t’i krijohet kjo mundësi”.

Peqin, 138 të dënuar falin Bajramin
Festa e Kurban Bajramit ka nisur dje në orët e para të mëngjesit me ritin e faljes në burgun e Peqinit. Rreth 138 persona nga të dënuarit që mbahen në këtë burg, kanë marrë pjesë në faljen e mëngjesit në ora 07:00. Falja është drejtuar nga myftiu i Elbasanit, i cili pas kësaj u dorëzoi të dënuarve edhe disa ushqime dhe kurbane të bërë jashtë burgut për të dënuarit. Më tej, të dënuarit kanë shkëmbyer urime mes tyre, ndërsa në vaktin e drekës, kanë pasur një meny të pasuruar me ushqimet e përgatitura nga kurbanet e sjellë nga jashtë.

Rrogozhinë, festojnë 70 të dënuar
Në burgun e Rrogozhinës, ashtu si në të gjitha burgjet e vendit dje është shërbyer vakti i drekës më i pasuruar me ushqime të dërguara nga familjarët për personat e dënuar si dhe me shtesat e bëra nga vetë burgu, me ëmbëlsira. Më shumë se 70 persona që mbahen në këtë burg, kanë marrë pjesë në orët e mëngjesit në kryerjen e ritit të faljes. Të dënuarit kanë pasur mundësi të kryejnë takime dhe telefonata me familjarët, ndërsa kanë marrë edhe ushqimet e dërguara prej tyre, të cilat janë lejuar nga autoritetet e burgjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›