Gruaja u dogj me acid, ish-burri "në kërkim"
TIRANE - Policia tha se i vetmi person i cili mund të ketë dijeni dhe të ndihmojë policinë për identifikimin dhe kapjen e autorit, që plagosi me acid një 21-vjeçare dy ditë më parë, është ish-bashkëshorti i saj. Edhe pse në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, rezulton që të ketë kaluar kufirin një ditë para se të ndodhte ngjarja në kryeqytet, policia e ka shpallur atë në kërkim, në mënyrë që të mund të arrestojë personin që plagosi Erka. V., te Bulevardi "Zogu i Parë" në Tiranë. Burime nga policia thanë se 21-vjeçarja është marrë në pyetje mëngjesin e djeshëm, në ambientet e pavijonit të djegieve të QSUT-së dhe ka deklaruar se nuk e njeh personin që i ka hedhur acid. Por gjithashtu, ajo ka shpjeguar për oficerët e policisë se nuk ka asnjë konflikt me asnjë person tjetër dhe gjithçka që i ka ndodhur e lidh me divorcin e një muaji më parë nga i shoqi. Sipas saj, gjithçka mund të ketë ardhur nga ai, edhe pse nuk ishte vetë ish-bashkëshorti që e sulmoi, por agresorin duhet ta ketë shtyrë ai. Sipas mjekëve, 21-vjeçarja mund të niset për një mjekim më të specializuar drejt Italisë, pasi djegia në qafë dhe në shpatull është e thellë dhe ka nevojë për një trajtim të veçantë. Ndërsa oficerët e policisë së Tiranës kanë sekuestruar kasetat filmike të një lokali lojërash fati, para të cilit ka ndodhur ngjarja e mëngjesit të së enjtes. Sipas grupit hetimor mësohet se pamjet janë mjaft të qarta, por personi nuk është identifikuar ende. Në kasetat që ka sekuestruar policia është e filmuar gjithë ngjarja, madje edhe disa sekonda para se të ndodhte. Sipas policisë, personi që shfaqet në video është një djalë i ri, nga 20 deri në 30 vjeç, ka një kapele të zezë në kokë dhe disa sekonda para se t'i hidhte acidin 21-vjeçares, ka biseduar me dikë në telefon. Më pas kur është afruar Erka. V. ka nxjerrë një shishe nga çanta dhe i është drejtuar asaj duke ia hedhur në qafë dhe në shpatull. Qëllimi sipas policisë ishte që t'ia hidhte në fytyrë, por vajza ka nxjerrë krahun para duke u mbrojtur. Vajza kishte disa javë që kishte ardhur nga Lushnja, ishte punësuar tek një universitet privat si sekretare dhe banonte me qira tek rruga e Barrikadave. Pamjet filmike i janë dërguar edhe policisë së Lushnjës, për të mundësuar identifikimin e autorit.
Aksident në Kashar, një i vdekur, kapet autori
TIRANE - Një i moshuar ka humbur jetën pasi është përplasur me makinë nga miku i tij në fshatin Yrshek të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme dhe sipas policisë Kadri Hasa, 73 vjeç, është viktima e aksidentit, ndërsa është shoqëruar në polici miku i tij, 63-vjeçari Hasan Lika. Burimet shpjeguan se Lika dhe Hasa, të dy banues në Yrshek, sapo kanë dalë nga lokali ku po pinin kafe dhe Kadri Hasa është nisur në këmbë, ndërsa miku i tij ka hipur në makinë, pasi do të lëvizte në drejtim të Tiranës. Në këtë moment ka ndodhur edhe aksidenti, pasi duke ecur indietro Lika nuk e ka parë që i moshuari ndodhej pikërisht pas makinës së tij dhe e ka përplasur në tokë. Goditja me asfaltin ka qenë fatale për 73-vjeçarin, i cili edhe pse është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak nuk ka mundur të mbijetojë. Policia ka shoqëruar menjëherë për të dhënë deklarime 63-vjeçarin Hasan Lika, i cili ka shpjeguar se nuk e kishte vënë re që miku i tij ndodhej pas dhe gjithçka ka ndodhur pa qëllim, aksidentalisht. Ende nuk është vendosur nëse Lika do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, apo do të hetohet në gjendje të lirë.