E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimi, motra i dërgon Aldo Bares ushqime e rroba në burg

 

TIRANE - Personi i parë që ka takuar në burg Aldo Baren, i akuzuar si kapo i Bandës së Lushnjës, ka qenë motra e tij. Nga burime brenda burgut mësohet se motra e të akuzuarit, i cili u ekstradua pak ditë më parë nga Turqia, është paraqitur në burgun 313 mbrëmjen e të enjtes, ku ka dorëzuar disa rroba dhe ushqime për Alfred Shkurtin. Sipas burimeve zyrtare mësohet se i ekstraduari po mbahet i vetëm në një qeli në burgun 313 në Tiranë që prej momentit kur mbërriti me pranga nga Turqia. Nga burime të burgut mësohet se Aldo Bare është në masa të zakonshme sigurie për paraburgimin 313 në Tiranë, por ndryshe nga qelitë tjera ku mbahen 2-3 të dënuar, në qelinë e kapos së bandës së Lushnjës, nuk ka persona të tjerë veç të pandehurit. Sipas personelit të burgut, Aldo Bare ka shfaqur një sjelle normale që prej vendosjes së tij në këtë institucion. Ai mësohet se ka frekuentuar oraret e ajrimit, ndërsa ka mbajtur komunikim të rregullt dhe normal me personelin e burgut, pasi plotësoi dokumentacionin e nevojshëm ditën e parë kur mbërriti në qeli. Ndërkohë, Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur pyetjen me anë të letërporosive të Enver Dondollakut, një prej të akuzuarve të ‘bandës së Lushnjës’, në lidhje më gjykimin e tij me kohë të shkurtuar në Shqipëri. Ndërsa dosja në ngarkim të Dondollakut, krahut të djathë të Aldo Bares, është dërguar për rigjykim tek Krimet e Rënda, togat e zeza vendosën pak ditë më parë pyetjen e vetë Dondollakut. Në një nga seancat e mëparshme avokati mbrojtës i Dondollakut shprehu këtë kërkesë përpara gjykatës, duke pretenduar se referuar prokurës së lëshuar nga klienti i tij e zotëronte këtë të drejtë. Pak ditë më parë gjykata vlerësoi dhe vendosi lajmërimin e Dondollakut në Itali me anë të lëtërporosive për shqyrtimin e dosjes së tij tek Krimet e Rënda, si edhe konfirmimin prej tij nëse kërkon apo jo gjykim me kohë të shkurtuar. Dosja e Dondollakut u kthye për rigjykim në maj të këtij viti nga një vendim i Apelit, që prishi vendimin me 25 vjet dhënë nga Shkalla e Parë për të.

AMNISTIA
Të gjithë të dënuarit e Burgut të Burrelit kanë kërkuar zyrtarisht të shpallen të pafajshëm ose të paktën t’u ulet dënimi. Disa i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat për ulje dënimi, të tjerë kanë kërkuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi të mendojë për uljen e dënimit ose faljen totale të kohës së mbetur. Dje, shumica e të dënuarve kanë qenë në ankth sepse kanë dëgjuar se me rastin e Festës së Pavarësisë dhe Ditës
së Çlirimit kreu i shtetit do të aplikojë falje dhe ulje dënimi. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur dje e të dënuarit presin për ditët e fundit të vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›