Bajrami preferon Serinë A

Mesfushori kosovar, i cili ka paralajmëruar largimin nga ekipi holandez Twente gjatë kësaj vere, ka treguar se preferon që karrierën ta vazhdojë në elitën e futbollit italian.
“Mua më pëlqen Italia. Këtë e kam thënë disa herë. Mendoj se mund të përshtatem me lojën që zhvillohet në këtë vend”, ka deklaruar Bajrami për ueb faqen suedeze FotbollDirekt.se.
Drejtori sportiv i Elfsborgut, Stefan Andreasson, ka krahasuar kosovarin me ish reprezentuesin suedez Jesper Blomqvist, i cili gjatë karrierës kishte luajtur në Serie A me Milanin.
“Po, unë dua ta përcjell shembullin e Blomqvist”, ka thënë Bajrami. Ky i fundit është pyetur se a do ta ndjekë rrugën e Blomqvist, duke u transferuar në Milano, por kosovari është shprehur skeptik për këtë.
Ndërsa i pyetur se a mund të ndërmjetësojë shoku i skuadrës përfaqësuese Zlatan Ibrahimoviç për transferim në Milan, Bajrami është përgjigjur. “Haha, kjo nuk funksionon në këtë mënyrë”.
I pakënaqur me tretmanin në klub, Emir Bajrami pritet të largohet gjatë verës nga Twente, me të cilin ekip ka kontratë edhe për dy vite.