E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blank: Shqipërinë e mposhtim pa sforco

Trajneri i Francës kërkon të ruajë qetësinë. Mungojnë Benzema dhe Sanja, rrezikojnë Riberi, Abidal, Koshielni dhe Matuidi

Kjo javë ka qenë shumë e pafat për përfaqësuesen e Francës. Shumë futbollistë, që luajnë me ekipe të ndryshme në Europë, kanë pësuar dëmtime në prag të dy ndeshjeve të fundit në grup të Euro 2012, rezultatet e të cilave do të përcaktojnë skuadrën që do të kualifikohet direkt, Francën ose Bosnjë-Hercegovinën. Gjithsesi, trajneri Lorent Blank kërkon të ruajë qetësinë, që futbollistët e tij të mos e ndiejnë presionin.

Cila është situata që keni gjetur këtë mëngjes (dje)?

Futbollistët kanë ardhur të gjithë. Sigurisht që kemi dëmtime. Pasi stafi mjekësor të mësojë gjithçka për dëmtimet, do të vendosim për futbollistët e tjerë që do të grumbullojmë.

A keni menduar që në këtë situatë mund të grumbulloni lojtarë të Shpresës?

Ndoshta. Do të shoh më parë nëse ndonjë nga të dëmtuarit do të mund të riaftësohet në kohë.

Me këtë nënkuptoni grumbullimin e të riut Varane?

E kam parë në ndeshje dhe më duket shumë inkurajues. Po e ndjek me shumë vëmendje. Mund të themi që ai është me njërën këmbë në skuadër. Duhet parë se si do të shkojë sezoni, se sa do të luajë dhe si do të paraqitet. Gjithsesi, unë sjam i detyruar të grumbulloj lojtarët e Shpresës për të zëvendësuar të dëmtuarit.

Përjashtim bën Sanja, mungesa e të cilët duket më shqetësuese?

Që të mos gënjej, Karim Benzema do të mungojë në të dyja ndeshjet. Prisja që të paktën ta kisha në dispozicion me Bosnjën, por stafi mjekësor është kategorik, nuk mund të riaftësohet.

Sa i përket Abidalit?

Për të lajmet janë më premtuese. Shpresoj që të paktën në ndeshjen e dytë të jetë i gatshëm. Në vend të Bakari Sanjas, që do të operohet sot (dje), kam thirrur Methju Debyshin. Për Erikun (Abidal) dhe Frankun (Riberi) kemi shpresa që të riaftësohen deri të premten.

A keni pasur presion nga Reali i Madridit për të mos grumbulluar Benzemanë?

Kur dëmtimi ndodh, ske çfarë të bësh. Shpresoja që ta grumbulloja Karimin për ndeshjen e dytë, por, për fat të keq, smund të bëjmë asgjë. Reali i Madridit nuk më ka bërë presion.

Cili do të jetë çelësi për të mundur Shqipërinë?

Kryesorja është kontrolli i topit, më pas futbollistët teknikë duhet të zgjidhin situatat. Nuk duhet të shqetësohemi shumë dhe të stresohemi për të zhbllokuar sa më shpejt rezultatin.

Zidane është shprehur se mund tju zëvendësojë. A keni ndonjë mesazh për ti thënë?

Një figurë e tillë si Zinedin Zidane, me një karrierë kaq të pasur, do të ishte mirë të investohej në fushën e blertë sesa në studiot televizive. Nëse kjo ndodh, do të ishte shumë mirë. Nëse ka dëshirë, duhet të veprojë dhe të vendosë eksperiencën e tij në dispozicion të futbollit dhe futbollistëve.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›