Bakaj, frymëzuesi i "pokerit" dinamovit
Dinamo respekton parashikimet dhe merr tri pikët e radhës me Gramozin. Blutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça kanë bërë formalitetin përballë skuadrës kolonjare, madje duke fituar me rezultatin e thellë 4-0. Njeriu i ndeshjes ishte padyshim Elis Bakaj, frymëzuesi i "pokerit" dinamovit. Mesfushori i Kombëtares konfirmon formën e shkëlqyer fizike me një gol të shënuar dhe dy asiste nga goditje standarde. Ishin pikërisht harkimet e 22-vjeçarit ato që i hapën rrugën triumfit të kryeqytetasve, duke evituar që situata të komplikohej, mbi të gjitha për faktin se Dinamo ka luajtur për afro 45 minuta në inferioritet numerik. Sulmuesi Fatjon Sefa hapi serinë e golave në të 18-ën, duke devijuar me kokë në rrjetë topin e krosuar në zonë nga Bakaj. Avantazhi ul disi përqendrimin e vendasve, të cilët lanë shumë hapësira për kundërsulmet e rrezikshme të kolonjarëve. Por, për të frenuar tentativat e Dos Santos dhe Hysenit janë dashur ndërhyrjet spektakolare të Kotorrit. Kur kronometri tregonte 42 minuta lojë, portieri blu u detyrua të shkaktojë një faull si lojtar i fundit ndaj Dos Santos, duke ndërprerë në këtë mënyrë një aksion goli. Gjyqtari Jorgji nuk ka dyshime dhe i tregon kartonin e kuq Kotorrit, i cili shkon në dush përpara shokëve. Nga goditja e lirë është Oliveira që provon, por portieri i dytë Hoxha, i aktivizuar në vend të argjentinasit Soza, neutralizon goditjen. "Ishte një ndeshje e vështirë. Pas barazimit të javës së kaluar në Korçë, duhet të ktheheshim me patjetër te fitorja. Jam i kënaqur për rezultatin, pasi sërish lojtarët dhanë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Me gjithë shifrat e thella që përfundoi ndeshja, duhet të theksoj se në fund të pjesës së parë jemi vënë në vështirësi nga kundërshtarët. Dalja me karton të keq e Kotorrit e komplikoi situatën, por fatmirësisht dyfishuam rezultatin që prej fillimit të pjesës së dytë të lojës", deklaroi Muça. Në fakt, në të 46-ën, rezultati dyfishohet nga Muça, një rrjetë fotokopje e së parës, ku harkimi ka ardhur sërish nga Bakaj. Mesfushori kuqezi nuk kënaqet vetëm me asistet dhe në të 60-ën shënon golin e tretë për Dinamon dhe të shtatin personal në këtë sezon. Sefa vulos shifrat 4-0, ndërsa takimi i radhës është kundër Besës së vendit të dytë. Por, fillimisht Muça kërkon të shijojë rezultatin: "Sot dhe nesër nuk do të mendojmë për futboll, përgatitjet do të rifillojnë vetëm të hënën". Në takimet e tjera Apolonia nuk merr më shumë se barazimi 1-1 përballë Flamurtarit në "Loni Papuçiu". Në këtë mënyrë, fierakët humbasin ritmin e kryesuesve. Në Peqin, Shkumbinit i ka mjaftuar një rrjetë e Roland Dervishit në minutën e 49-të, për të marrë tri pikët kundër Laçit.