Kristiano Ronaldo thërret Runin "Uejn, bëhu pjesë e Real Madrid"
Objektivi i ardhshëm i Realit të Madridit është Uejn Runi. Mediat britanike kanë publikuar kërkesën që Kristiano Ronaldo i ka bërë ish-shokut të skuadrës të Mançester Junajtid. Sipas tabloidit "The Sun", portugezi synon të bindë sulmuesin e përfaqësueses angleze që të transferohet në Madrid, për të bashkuar dyshen e jashtëzakonshme sulmuese, që dominoi në këto vitet e fundit në Premierligë. Largimi i Runit nga "Djajtë e Kuq" duket mjaft i vështirë, megjithatë, Ronaldo shpreson se kjo do të realizohet: "Ardhja e Ujenit? Do të ishte fantastike, ai do të na ndihmonte shumë në këtë moment të keq. Runi është një lojtar i madh dhe natyrisht që do t‘i shërbente pa masë Realit. ‘Santiago Bernabeu‘ është vendi ideal për yjet që të luajnë dhe nuk ka asnjë dyshim që sulmuesi anglez është një prej më të mirëve në qarkullim. Ai i ka të gjitha karakteristikat që të bëjë një karrierë të madhe në Madrid. E kam të qartë që ai është shumë i lidhur me Mançesterin, por nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen".