Milani blen Adijiah, talentin ganez
Merkato e janarit e Milanit mund të quhet praktikisht e mbyllur. Pasi Galiani konfirmoi rikthimin e mesfushorit anglez, Devid Bekham, klubi i rrugës "Turati" ka siguruar edhe shërbimet e ganezit (kampion bote për U-20), Dominik Adijiah. Sulmuesi, i cili fitoi "Topin e Artë" në aktivitetin më prestigjioz për 20-vjeçarë, ku shënoi tetë gola, pritet t‘i bashkohet skuadrës së Leonardos prej janarit. Ai është rritur në ekipet zinxhir të Fejnordit, ndërsa aktivizohet me Fredrikstad në Norvegji. Për kartonin e talentit, i cili kishte tërhequr vëmendjen e Çelsit, Rubin Kazan e CSKA e Moskës, kuqezinjtë paguan 1.3 milionë euro. Karakteristika kryesore e Adijiah është shpejtësia mbresëlënëse.