Sena kthehet në Botërorin 2010 Nipi i Airton me Kampos Meta
Piloti brazilian, Bruno Sena, nipi i tri herë kampionit të botës, Airton, do të debutojë në Formula 1 me makinën e Kampos Meta, një prej skuadrave të reja që do të garojnë në Botërorin 2010. Mbiemri i tij do t‘u rikthejë në mendje tifozëve paraqitjet e jashtëzakonshme të Airton Senës, i cili humbi tragjikisht jetën në vitin 1994, pas një aksidenti të tmerrshëm në Çmimin e Madh të Imolas. Lajmi është konfirmuar nga përgjegjësi i skuderisë së re, Enrike Rodriguez de Kastro. Ai deklaroi: "Për skuadrën Kampos Meta është një nder shumë i madh që të rikthejë mbiemrin Sena në sportin e Formula 1". 26-vjeçari, nënkampion në vitin 2008 në serinë GP2 u shpreh i lumtur që më në fund, pas muajsh spekulime, ai do të ketë shansin të garojë mes pilotëve më të mirë në botë. Piloti tha: "Dëshiroj t‘i falënderoj të gjithë. Pas negociatave disajavore, më në fund arritëm të firmosnim marrëveshjen. Jam shumë i lumtur dhe dua ta ndaj këtë gëzim me tifozët. Duhet të ul kokën dhe të përgatitem për sezonin e ri, kam shumë punë për të bërë".