"Gramozi, ekip me mentalitet humbës"
Agim Canaj ende nuk e ka shijuar fitoren në katër ndeshjet që ka drejtuar Gramozin. Me teknikun vlonjat, kolonjarët kanë regjistruar vetëm dy barazime (në shtëpi me Besën dhe Kastriotin) dhe dy humbje. Për rezultate jo të kënaqshme, Canaj e ka drejtuar gishtin nga futbollistët, që sipas tij futen në fushë me mentalitet humbës. "Kemi një problem shumë të madh: kjo skuadër hyn në fushë me një mentalitet humbës. Lojtarët e mi ndihen inferiorë kur luajnë ndaj skuadrave të mëdha të kampionatit, për këtë arsye nuk arrijmë të marrim rezultate, edhe pse i vlerësojmë shumë ndeshjet", tha ai pas humbjes me Dinamon. "Në pjesën e parë kishim disa raste për të shënuar, por lojtarët nxitoheshin përpara portës. Mund të kishim barazuar dhe të kishim ndryshuar rrjedhën e takimit, por humbëm, pasi skuadra ndihej inferiore".
e. k.
e. k.