E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakaj i jep fitoren Chernomorets

Pas çdo jave që kalon, Elis Bakaj konfirmohet si vendimtar te Chernomorets Odessa. Sulmuesi shqiptar ishte protagonist absolut edhe në fundjavën që sapo kaloi, në fitoren që skuadra e tij regjistroi në fushën e Arsenal Kyiv në kampionatin ukrainas të futbollit.

Chernomorets regjistroi një fitore shumë të rëndësishme 1-0 ën transfertë, ndërsa goli me vlerë tri pikësh u realizua pikërisht nga lojtari shqiptar, në minutën e 45-të të ndeshjes. Kjo ishte rrjeta e katërt e Bakajt në këtë sezon në Ukrainë.

Ndërkohë, mjaft interesant ëhstë fakti se golat e shënuar nga 25-vjeçari gjatë këtij edicioni kanë qenë gjithmonë shumë të rëndësishëm. Duke llogaritur edhe ndeshjen kundër Arsenal Kyiv, në total Bakaj i ka dhënë Chernomorets Odessa-s 10 pikë nga 23 që ka skuadra në klasifikimin e përgjithshëm, ku renditet në vendin e pestë.

Interesant është edhe fakti që sulmuesi festoi me gol rikthimin në Kombëtaren shqiptare. Pas disa muajsh mungesë, ai do ti bashkohet përfaqësueses së drejtuar nga Gianni De Biasi për miqësoren e 14 nëntorit kundër Kamerunit në Gjenevë.

Në këtë miqësore luksi, prezent do të jetë edhe shqiptari tjetër i Chernomorets-it, Kristi Vangjeli. Mbrojtësi i cili është rikuperuar pas një dëmtimi të gjatë në gju, duket gati, ndërkohë që në ndeshjen e fundjavës ai qëndroi gjatë gjithë 90 minutëshit në stol.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›